Të mërkurën e ardhshme vendi duhet të ketë presidentin e ri, përndryshe qytetarët do të shohin edhe një palë zgjedhje të reja. Ani pse kanë mbetur pak ditë, ende nuk ka qartësi se kush do të jetë kryetari i ri i shtetit.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, tashmë ka treguar se ajo synon të ketë edhe një mandat në krye të vendit për të ‘’vazhduar punët e mira’’.
Porse, në anën tjetër, duket se partitë politike nuk e kanë të njëjtin ‘’disponim’’ me Osmanin.
Madje as Lëvizja Vetëvendosje, e lideri i saj Albin Kurti, që pesë vite më parë ishin krah i fortë i Osmanit, sot, duket se kanë qëndrim tjetër.
Kurti e Osmani s’janë parë edhe aq shumë që të ndajnë të njëjtën hapësirë bashkë gjatë javëve të fundit. Megjithatë përjashtim bën dita e sotme.
Të dy liderët sot kanë marrë pjesë në një ceremoni të KFOR’it të mbajtur në Bondsteel në një ndërrim komandash.
Nga fotot e ndara, në postimin në Facebook të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, mund të shihet edhe disponimi që të dy ata kanë.















