Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e tij për mosnjohjen e Kosovës si shtet, duke theksuar se ky vendim është në përputhje me politikat diplomatike të Sllovakisë dhe nuk ndikon në marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë, raporton Gazeta Sinjali.
Deklarata e tij erdhi pas takimit me homologun shqiptar, Bajram Begaj, në Tiranë.
Pellegrini sqaroi se ky qëndrim nuk duhet të interpretohet si një pozicion negativ ndaj Kosovës, por si një vendim i bazuar në parimet diplomatike të vendit të tij.
“Nuk do t’i shmangem pyetjeve për Kosovën. Këtë çështje e kemi diskutuar me Presidentin Begaj, dhe unë kam përfaqësuar pozicionin e Sllovakisë, ashtu siç e mbajnë edhe disa vende të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ky vendim nuk ka të bëjë me popullin e Shqipërisë apo me kombin shqiptar, të cilin e konsiderojmë mik. Qëndrimi ynë nuk është asgjë personale kundrejt Kosovës, por një pozicion i bazuar në politikat tona diplomatike për momentin. Gjithashtu, e informova presidentin Begaj për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për çështjet e sigurisë në rajon. Është e rëndësishme të ndërtojmë ura bashkëpunimi,” tha Pellegrini.