Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përfunduar fjalimin e tij në Parlamentin izraelit, ku deklaroi se të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re.
Trump e përmbylli fjalimin duke thënë se “që nga dita e parë kur u krijua Izraeli modern, ne kemi qëndruar së bashku në kohë të vështira dhe në fitore e humbje”.
“Dhe, gjatë kësaj jave, përkundër të gjitha, ne e kemi arritur të pamundurën dhe i sollëm pengjet në shtëpi”.
Gjatë qëndrimit në Izrael, ai do të takohet me familjarët e pengjeve, para se të niset për në Egjipt për të nisur një samit për paqe në Lindjen e Mesme. Në këtë samit pritet të marrin pjesë 20 udhëheqës të shteteve më të fuqishme në botë.
Para Parlamentit izraelit, Trump foli edhe se si shtetet e Lindjes së Mesme nuk duhet të krijojnë armiq, por të punojnë së bashku për të krijuar “mundësi dhe prosperitet”.
Sipas udhëheqësit amerikan “në vend që të krijojnë armë”, shtetet e këtij rajoni duhet të përqendrohen që të ndërtojnë shkolla, të investojnë në shëndetësi, industri dhe inteligjencë artificiale.
“Edhe ndaj Iranit, regjimi i të cilit ka shkaktuar aq shumë vdekje në Lindjen e Mesme, dora e miqësisë dhe bashkëpunimit është e zgjatur”, tha presidenti Trump.