Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar sot se zyrtari i SHBA’së që po e viziton Kosovën Richard R.Verma ka konfirmuar se se SHBA dhe Kosova do ta finalizojnë së shpejti dialogun strategjik mes dy vendeve. Ajo ka treguar se propozimin për fillimin e tij ua kishte bërë amerikanëve para 4 vitesh.
Në njoftimin që Presidenca ua ka shpërndarë mediave dialogu strategjik prezantohet si arritje e saj.
“Presidentja Osmani arrin Dialogun Strategjik me SHBA-të”.
“Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës” thuhet tutje aty.
Pastaj ka zbuluar se propozimin amerikanëve ua kishte dërguar qysh në vitin 2021.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik” theksohet në njoftim.
“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, shtohet tutje aty.