Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar seancën konstituive për legjislaturën e 10.
Përmes një njoftimi për media, Presidenca ka njoftuar se seanca është ftuar për nesër(11 shkurt) në ora 10:00.
Në njoftimin e saj Presidenca ka treguar se caktimi i kësaj date ka ardhur pas konsultimeve me liderët e partive politike.
“Presidentja Vjosa Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit më 11 shkurt në orën 12:00 Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, është thënë në njoftimin e Presidenes.
Takime e Osmanit me opozitën
Caktimi i kësaj seance nga presidentja Osmani, ka ardhur pas konsultimeve me liderët e partive politike.
Gjatë ditës së djeshme, Osmani ka takuar liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar për temat e takimit me Osmanin.
“Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, sot gjatë ditës u takova me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën. Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. I shpreha Presidentes Osmanit mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë. Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë. LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë detaje për takimin e të paren e shtetit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se me shefen e shtetit kanë folur për disa tema.
“Me ftesë të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, zhvillova një diskutim mbi Bordin e Paqes dhe zhvillimet politike në vend dhe në rajon. Presidentes Osmani i shpreha vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit Donald J. Trump. Çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo iniciativë ku jemi krah njëri-tjetrit, është i rëndësisë së veçantë për Kosovën. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrah pa asnjë hezitim këtë angazhim”, ka shkruar Haradinaj.
Gjatë ditës së djeshme, Vjosa Osmani është takuar edhe me PDK-së, Bedri Hamza. Ndonëse kjo parti ende nuk ka njoftuar për takimin, gazeta Nacionale ka mësuar se dje Osmani ka pritur në zyre kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Ende nuk dihet nëse Vjosa Osmani dje ka takuar liderin e VV-së, Albin Kurti.












