Pallati Elysée ishte “shtëpia e parë e mikut” brenda të cilës shkeli këmba e Albin Kurtit sapo kishte veshur petkun e kryeministrit të Kosovës. Rezidenca e presidentit të Francës, që daton prej vitit 1722, iu bë atij “konaku i parë” ku si shef qeverie u prit nga Emanuel Macron.
“Është privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministër i shtetit më të ri të Europës, të jem përpara pallatit presidencial francez, për t’ju garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat europiane dhe demokratike”- iu pati drejtuar Kurti presidentit francez, para se të nisnin takimin tête-à-tête.
Vizitat e Kurtit që i përkasin nivelit të lartë vazhduan për katër vite radhazi, por jo me intensitet të njëjtë. Një rënie e lehtë e pritjeve nga homologë e presidentë shtetesh u vërejt veçmas në vitin e fundit kur Kosova u vu nën sanksione të BE-së, duke mos i llogaritur këtu takimet me ta në margjina të samiteve, forumeve e kongreseve ndërkombëtare.
Për rreth katër vjet të mandatit si kryeministër gjërat ndryshuan nga viti në vit. Kosova u përball me situata të reja politike ku prej më të theksuarave ishin trazirat e majit në vitin 2023 në veri të vendit.
Si pasojë, shteti u vu në një pozicion që nuk kishte qenë asnjëherë më parë nga çlirimi më 1999. Bashkimi Europian i vendosi masa ndëshkuese në emër të mosveprimeve të duhura për t’i shmangur tensionet në komunat e banuara me shumicë serbe.
Kjo situatë pati efekte edhe në aspektin e takimeve biletarale mes zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe përfaqësuesve të niveleve të larta të shteteve të jashtme.
KALLXO.com ka analizuar me vëmendje takimet që janë zhvilluar për katër vite mes kryeministrit Kurti dhe homologëve të tij në shtetet respektive. Dhe, prej të dhënave të grumbulluara, rezulton se në tri vitet e para pati më së shumti takime të këtij lloji, e më së pakti në vitin 2024. Viteve të fundit vlerësohet që numri i takimeve të tilla është ndikuar në masë të madhe pikërisht nga masat e Bashkimit Europian.
Të dhënat e Kryeministrisë për takimet që janë mbajtur gjatë katër viteve,, KALLXO.com ka kërkuar t’i konfirmojë edhe njëherë me Zyrën e Kryeministrit, por të njëjtit nuk kanë ofruar një listë për krahasim.
Marrë parasysh situatat e krijuara, vizitat e nivelit të lartë që zhvilloi Kurti gjatë këtyre katër viteve nuk vlerësohen si të mjaftueshme. Pritjet për takime më të shpeshta të Kurtit me homologë shtetesh ishin më të larta, meqë Kosova gjendet në një fazë kur i duhet sa më shumë t’i ‘shtrëngojë duart’ me shtetet e fuqishme për t’i arritur qëllimet politike, ekonomike e kulturore, si një shtet ende i ri.
Vit i lodhtë
Vitin 2024, Kurti e nisi me një takim zyrtar në Irlandë të Veriut ku u prit nga kryeministri i irlandez, Leo Varadkar, i cili disa muaj para këtij takimi ishte në vizitë zyrtare në Kosovë.
Veç këtij takimi, gjatë vitit Kurti u takua me homologë të tij nën margjina të samiteve, por takime tamam zyrtare, ku u organizua pritje enkas për të, pati vetëm edhe në tri të tjera: Turqi, Bullgari dhe Maqedoni të Veriut. Në shtetin e parë u prit nga presidenti Rexhep Tayyip Erdogan, në Maqedoni të Veriut nga homologu Hristijan Mickoski, dhe në Bullgari e pritën ndaras presidenti Rumen Radev dhe kryeministri Dimitar Glavchev.
Takimi në Turqi në fakt ishte i dyti dypalësh ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Erdogan. Takimi i parë i këtij lloji u zhvillua në Stamboll në shkurt të vitit 2023. Edhe takimi me presidentin bullgar ishte i dyti. Radev pati qëndruar në Kosovë në dhjetor të vitit 2023.
Pavarësisht që situata në terren për të realizuar takime të larta nuk është e favorshme për shkak të masave të vendosura nga Bashkimi Europian dhe SHBA, takimet e nivelit të lartë shihen si të pakta.
Kështu vlerëson edhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, i cili thotë se në komunikimet e tyre vendet perëndimore, si pasojë e masave, kanë theksuar se takimet e nivelit të lartë me Qeverinë do të mbahen vetëm për çështje të Dialogut Kosovë- Serbi, kurse për çështje të tjera ka njëfarë ngrirje raportesh.
“E kemi parë gjithashtu se në shumë forume shumëpalëshe të organizuara nga perëndimi, Kosovën kryesisht e ka përfaqësuar presidentja Vjosa Osmani. Kryeministri Kurti në disa raste ka arritur t’i takojë liderët perëndimorë, por vetëm në kontekst të ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare ku Kosova nuk mund të mos ftohej”- thotë Maliqi për KALLXO.com.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas trazirave që ndodhën në muajin maj kur kërkohej dorëheqja e kryetarëve shqiptarë që janë në krye të këtyre komunave.
Ndonëse ka mbetur pak më shumë se një muaj deri në përfundim të këtij viti kalendarik, shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes së tyre. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat që ato të hiqeshin sivjet ishin të mëdha në Kosovë.
Në fillim të këtij viti, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pati thënë se në rrafshin politik, masat janë të kufizuara vetëm në takimet e nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
Në bazë të analizës të takimeve të larta në shtetet pritëse, në vitin kur u vendosën masat ndaj Kosovës, pra në vitin 2023, u zhvilluan gjashtë- shtatë sosh: Zvicër, Vatikan, Austri, Turqi, Maqedoni të Veriut, Greqi e Shqipëri.
Karshi kësaj, Maliqi thotë se për vendet e vogla politika e jashtme ka peshë relativisht më të madhe sepse varësitë janë më të mëdha, e në rastin e Kosovës, “për shkak të pozitës sonë të cunguar ndërkombëtare, kjo rëndësi shtohet shumëfish”.
“Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar”- ishte vetëm një nga zotimet me të cilat u ngjit në fron Qeveria Kurti 2. Katër vite pas, vendi nuk ka arritur ta sigurojë asnjë njohje të re, e as të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare të mëdha. Këto dyja janë ndër qëllimet kryesore të vendit, për ç’gjë i duhet mbështetje e jashtme.
Gjendjen e tanishme të Kosovës, Maliqi e quan “izolim politik” që po bëhet prej shteteve kyçe mbështetëse, që në fakt “na e kanë mundësuar shtetësinë, dhe pa mbështetjen e të cilave nuk mund t’i arrijmë synimet për konsolidimin e shtetësisë”. Situatën, ai e quan shqetësuese.
“Ne që kemi qenë kritik ndaj qasjes së qeverisë në veri vazhdimisht kemi theksuar se ajo do të vijë me një kosto të madhe ndërkombëtare që është shumëfish më e madhe dhe më e dëmshme se përfitimet afatshkurtëra në veri”- thekson Maliqi.
E, Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Europë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), e cila njëherësh është eksperte dhe hulumtuese e lartë e sigurisë, thotë se për fat të mirë, Kosova nuk ka kaluar në një izolim total, falë rolit aktiv të presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Emini thotë se pavarësisht që masat e BE-së kanë zbehur numrin e nivelit të lartë të kryeministrit Kurti, në anën tjetër presidentja Osmani ka rritur ndjeshëm numrin e takimeve bilaterale dhe multilaterale, duke ruajtur një farë hapësire për politikën e jashtme.
Ajo vlerëson se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës kanë arritur një pikë kritike, ku sfidat shtohen nga vendet mosnjohëse si Sllovakia, e cila madje ka tërhequr zyrën e saj ndërlidhëse në Kosovë, muajin që shkoi.
“Vetë mungesa e takimeve është një formë penalizimi. Masat ndëshkuese të BE-së, të cilat kanë izoluar vendin, kanë lënë pas agjendën e reformave dhe kanë kufizuar qasjen e Kosovës në shumë platforma përfituese të BE-së”- vlerëson Emini.
Megjithëse, Kosova merr pjesë në Planin e Rritjes së BE-së, Emini thotë se mungesa e takimeve dhe bashkëpunimit solid, që nga ambasadat deri te përfaqësuesit diplomatik dhe të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, ka shkaktuar dëme të mëdha.
Sipas saj, diskursi negativ dhe shpesh i tensionuar me këta aktorë, mungesa e takimeve në nivel të lartë dhe bashkëpunimi i dobët kanë ndikuar seriozisht në avancimin e agjendës shtetërore të Kosovës.
Përballë këtyre sfidave, Emini thotë se Kosova duhet të punojë për të forcuar lidhjet me vende kyçe si Gjermania dhe Franca, duke përdorur diplomacinë për të rikuperuar marrëdhëniet e humbura.
“Për momentin, për shkak të gabimeve të brendshme dhe suksesit të diplomacisë serbe, këto vende janë larguar nga një pozicion mbështetës ndaj Kosovës”- thotë Emini.
Jo më shumë se katër takime dalin që janë zhvilluar në të dy këto vende, Gjermani e Francë nga kryeministri i Kosovës, në bazë të komunikatave që dërgon Kryeministria. Pak e pothuajse hiq, janë mbajtur takime të këtij niveli në vendet e Skandinavisë, veç atij në Norvegji në vitin 2022. Atje ishte takuar me homologun e tij, Jonas Gahr Støre.
Sa i përket takimeve të kryeministrit në shtetet e tjera, Emini thotë se niveli i ulët i pritjes së tij do të ishte më pak shqetësues nëse marrëdhëniet e Kosovës me vendet partnere nuk do të ishin kaq të tensionuara, kryesisht për shkak të çështjeve që lidhen me dialogun me Serbinë.
Ky tension, vlerëson ajo, është reflektuar edhe në marrëdhëniet me ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë, përfaqësuesit për Ballkanin Perëndimor dhe elitat politike të vendeve partnere.
Ndër të tjera, Emini mendon që ndërhyrjet në çështje të brendshme politike të këtyre vendeve, përfshirë zgjedhjet e tyre, kanë irrituar dhe përkeqësuar raportet me Kosovën.
Miqtë larg
Që katër vite në krye të Qeverisë, kryeministri Kurti nuk ka arritur ende të ketë një pritje presidenciale në Shtëpinë e Bardhë, ndonëse ka shkelur disa herë në “tokën amerikane” në kuadër të ngjarjeve me karakter politik ku është takuar me numra dy të SHBA-së.
Vetëm në vitin 2024, Kurti ishte tri herë në SHBA; njëherë për takimin e Këshillit të Sigurisë për çështjen e dinarit, pastaj për Konventën Demokratike, e së fundmi në shtator për Sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Donika Emini vlerëson se Kurti ka pasur një sërë mundësish sidomos në fillim të mandatit që t’ia bëj Kosovës një vend në spektrin ndërkombëtar. Me gjithë këtë potencial, sipas saj, Qeveria Kurti nuk arriti të sigurojë pritje presidenciale në Shtëpinë e Bardhë, një çështje që u diskutua gjerësisht në Kosovë.
Në bazë të analizës të takimeve në vitin e parë të mandatit, Kurti zhvilloi katër vizita të nivelit të lartë në shtete të ndryshme të Europës: Belgjikë, Francë, Maqedoni e Veriut dhe Austri, ku mbajti takime me liderët e tyre. Në këtë të parën, që njëherësh ishte vizita e tij e dytë si kryeministër, Kurti fillimisht u takua me homologun belg, Alexander De Croo, e më pas pati takime me zyrtarët e institucioneve kryesore të Bashkimit Europian.
Nga këndvështrimi i Eminit, gjatë këtij mandati, vizitat ndërkombëtare të Kurtit, edhe pse të kufizuara, ishin kryesisht të natyrës protokollare, të zakonshme për çdo qeveri të re, veçanërisht me partnerët strategjikë.
“Megjithatë, intensiteti i tyre ra me kalimin e kohës, duke u ndërprerë plotësisht pas vendosjes së sanksioneve nga BE-ja dhe tensionimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe partnerëve strategjikë”- shprehet Emini.
Krejt kjo humbje e rëndësisë së Kosovës në sytë e partnerëve strategjikë, Emini vlerëson se ka ardhur për shkak se Kurti gjatë gjithë mandatit të tij, u perceptua kryesisht si udhëheqës i procesit të dialogut me Serbinë.
Si pasojë, bashkëpunimi ndërkombëtar i Kosovës u kanalizua pothuajse ekskluzivisht në dialogun dhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kjo ka qenë e dëmshme, jo vetëm për Kurtin si lider, por edhe për Kosovën si shtet. Ky fokus i ngushtë ka çuar në humbjen e relevancës së Kosovës në sytë e partnerëve strategjikë dhe ka përbërë një mundësi të humbur për të forcuar partneritetet strategjike dhe për të çimentuar shtetësinë e saj”- thekson Emini.
Në anën tjetër, Agon Maliqi, thotë se Kosova ka humbur kapital politik dhe besim te shtetet aleate dhe me këtë edhe mundësinë që ta shfrytëzojë fuqinë e tyre për të ecur përpara në arenën ndërkombëtare.
“Kjo u pa më së miri me procesin e Këshillit të Europës. Kosova duhet ta kuptojë se shtetet garantuese të sigurisë sonë nuk mund të shpërfillen sepse në fund dëmtohet Kosova”- thotë ai.
Sivjet Kosova nuk arriti të kalojë hapin e fundit për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Madje, nuk arriti të hyjë fare në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, duke mbetur kështu edhe këtë vit jashtë përfitimeve si anëtare e një organizate të rëndësishme.
Sipas të dhënave nga takimet, del që Kurti ka qenë vetëm njëherë në Strasburg për një vizitë zyrtare për të marrë pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Europian. Pra atje ku gjendet Këshilli i Europës.
Ngjashëm shprehet edhe Donika Emini, e cila thotë se shembulli më i qartë i këtyre kufizimeve ishte dështimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Kjo, sipas saj, nxori në pah mungesën e pjekurisë politike për të menaxhuar procese të tilla dhe dobësitë në komunikimin dhe koordinim me partnerët strategjikë.
Emini beson se këto probleme nuk kufizohen vetëm te projektet dhe reformat, por përfshijnë gjithashtu edhe pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës, duke shtuar se përtej sfidave të shtetësisë, Kosova është një shtet i vogël që mund të arrijë suksese diplomatike përmes krijimit dhe forcimit të aleancave strategjike.
“Këto aleanca mund të ishin kyçe për ta çuar vendin përpara në një botë gjithnjë e më të pasigurt dhe të paqëndrueshme, ku rrethanat që dikur ndihmuan në krijimin e shtetit të Kosovës po sfidohen në mënyrë të ashpër”- thotë ajo.
Kosova gjendet midis shumë proceseve të rëndësishme politike dhe integruese, dhe kohë pas kohe vihet në shprehje që nevojitet ndihma e miqve dhe aleatëve për të shtyrë përpara çështjet e Kosovës, si anëtarësimi në NATO e BE.
Por, Emini thotë se mungesa e bashkëpunimit, tensionimi i marrëdhënieve dhe mungesa e besimit reciprok, ku Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë shpesh akuzojnë njëri-tjetrin për mungesë besnikërie, kanë dëmtuar ndjeshëm pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Rrethanat gjeopolitike dhe zhvillimet globale kanë ezauruar kapitalin politik të Perëndimit, i cili ka mbështetur Kosovën që nga vitet ’90, vlerëson Emini, duke shtuar se si rezultat i mosnjohjeve dhe mosanëtarësimit në platforma multilaterale, Kosova ende perceptohet si një projekt i papërfunduar.
“Për këtë arsye, izolimi ndërkombëtar i Kosovës nuk është thjesht pasojë e një periudhe të përkohshme politike që mund të kapërcehet lehtësisht, por një situatë me efekte afatgjata që mund të dëmtojë thellësisht vendin”- thotë ajo.
Rrugët dytësore për takime
Edhe pse pati rënie të takime të nivelit të lartë, sidomos gjatë këtij viti është vërejtur që po mundohet të gjendet një mënyrë për të zhvilluar takime me homologë. Për to, u shfrytëzuan samitet, kongreset, konferencat e forumet e organizuara në shtete të ndryshme, që shpeshherë u përcjellën me takime para ngjarjes, ose pas ngjarjes.
Takimin bilateral për këtë vit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Kurti e realizoi pas Procesit të Berlinit që u mbajt në muajin tetor në Berlin të Gjermanisë. Me Scholzin në Gjermani, Kurti kishte pasur paraprakisht takim në vitin 2022, ku u prit zyrtarisht, e më pas së bashku mbajtën edhe një konferencë për media.
Në takimin e nivelit të lartë të vitit 2022 me Scholzin në Gjermani, Kurti kishte kërkuar mbështetje nga Gjermania për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ndërkaq në këtë të fundin të zhvilluar në kuadër të Samitit, Kurti i kërkoi atij që “t’i hiqen masat ndëshkuese e të padrejta, t’i jepet statusi i vendit kandidat Kosovës”.
Për këto takime që po zhvillohen nëpër rrugë të dyta, Agon Maliqi vlerëson se kryeministri është munduar që “izolimin ndërkombëtar” ta kompensojë me aktivitete të kësaj natyre që në sytë e opinionit publik vendas të sinjalizojë se “gjithçka është në rregull”.
“Do të thosha në fakt se kjo ishte një përpjekje mjaft e pasinqertë dhe dinake që ndoshta nuk kuptohet qartë nga ata që nuk e kuptojnë politikën ndërkombëtare”- thotë ai.
Maliqi deklaron se takimet nëpër kongrese dhe ngjarje ndërkombëtare nuk e kanë kurrë peshën e takimeve dypalëshe shtetërore të cilat janë tregues i afërsisë dhe dinamikës së përbashkët të punës.
Takime të këtij formati gjatë këtii viti pati me bollëk, në Turqi, Austri, Angli, Gjermani, Poloni, Zvicër, Estoni, Francë e SHBA, Greqi, por jo vetëm, ku zakonisht mblidhen liderë të ndryshëm dhe ku mund të ndajnë kohë për njëri-tjetrin.
Sado që mund të jenë të mira sidomos për Kosovën pasi ofrojnë mundësi për komunikim dhe bashkëpunim edhe me shtetet që nuk e njohin, Donika Emini vlerëson se këto takime i kanë kufizimet e tyre.
“Në këto evente, liderët kanë agjenda të ngarkuara dhe është e pamundur që gjithë diplomacia e një vendi të mbështetet vetëm në takimet multilaterale”- thekson ajo.
Këto takime, sipas saj, ndihmojnë në adresimin e asimetrisë që Kosova përjeton në arenën ndërkombëtare, duke pasur parasysh kufizimet në diplomaci për shkak të mosnjohjes nga disa vende.
Emini thotë se shembuj të rëndësishëm janë Procesi i Berlinit, ku Kosova merr pjesë pavarësisht mosnjohjes nga dy vende të rajonit, si dhe forumet dhe takimet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të organizuara nga BE-ja, ku tejkalohen kufizimet e vendosura nga pesë vendet mosnjohëse.
Po ashtu, Konferenca e Mynihut, Samiti i NATO-s, takimet në kuadër të Komunitetit Politik Europian, dhe aktivitetet në Kombet e Bashkuara, edhe pse Kosova nuk është anëtare, shihen të rëndësishme. Anipse, Emini thotë se pesha e Kosovës në këto platforma shpesh varet nga cilësia e marrëdhënieve që vendi ka në nivelin bilateral.
“Si në rastin e çdo shteti tjetër, suksesi i Kosovës në këto forume varet nga aftësia për të maksimizuar përfitimet nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët strategjikë”- thotë ajo, duke shtuar se sukseset në arenën multilaterale nuk mund të jenë të plota pa ndërtimin dhe forcimin e partneriteteve strategjike me vendet kyçe për Kosovën në nivel bilateral.
Në vlerësimin e saj, takimet bilaterale kanë rëndësi të veçantë, pasi ato përqendrohen në diskutime për bashkëpunim në fusha si politika, ekonomia, siguria, kultura dhe projekte konkrete teknike mes dy shteteve.
Emini thotë se mungesa e takimeve bilaterale jep një mesazh negativ dhe ndikon jo vetëm në bashkëpunimin me shtete të tjera, por edhe në forcimin e pranisë dhe relevancës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në Perëndim për politika ‘të brendshme’
Në fund të vitit u vërejt një shtim i vizitave të kryeministrit Albin Kurti në shtetet e Europës, por jo vetëm. Në Austri, Gjermani e Francë, udhëheqësi i Kosovës mbajti takime me diasporën kosovare atje, dhe aty këtu edhe me figura politike që janë përkrahës të tij.
Shumica e tyre u zhvilluan pas forumeve që u zhvilluan atje, dhe kaluan pa ndonjë pritje nga autoritet e larta shtetërore. Kurti tubimet i nisi në fillim të tetorit në katër qytete të mëdha të Gjermanisë, pastaj vazhdoi në Paris, Vjenë, Oslo e SHBA, për t’u rikthyer sërish në Gjermani, pas Samitit të Procesit të Berlinit dhe Forumit Ekonomik të Vjenës.
Agon Maliqi thotë se kanë parë shumë shpesh vizita të kryeministrit Kurti të këtij stili, e sidomos në fillim të mandatit, duke përmendur rastin “kur qëndroi në SHBA dy javë në takime krejt periferike dhe pa takime zyrtare apo agjendë të qartë politike”.
Se pse zhvillohen takime të kësaj natyre, Maliqi tha se takimet me diasporën e kanë edhe motivimin e politikës së brendshme dhe fushatës për vota, apo edhe synimin për t’i tërhequr investimet prej tyre.
“Por këto takime shpesh duken krejt sporadike, konsultative dhe improvizuese, pa agjendë të qartë, dhe janë në shpërputhje të plotë me peshën politike të kryeministrin dhe me nevojën që koha e tij të shpenzohej në mënyrë më strategjike”- shpjegon Maliqi.
Edhe Emini thotë se takimet e kryeministrit me diasporën janë kryesisht të natyrës partiake dhe elektorale, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore që shërbejnë si platforma elektorale, ku ai i drejtohet përkrahësve të tij jashtë Kosovës.
Ndërkohë që diaspora ka qenë dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndikimi i saj në politikat e vendeve pritëse në raport me Kosovën ka qenë i kufizuar.
“Përjashtime të kësaj situate mund të vërehen në rastet e kaluara në SHBA ose potencialisht në Gjermani, ku diaspora kosovare është e madhe dhe ka kapacitet për ndikim”- thotë Emini, duke shtuar se politikat e paqëndrueshme dhe mungesa e koordinimit nga institucionet kosovare kanë shkaktuar përçarje brenda diasporës, duke reduktuar efektivitetin e saj për të lobuar në mënyrë të strukturuar.
Relevancën e Kosovës në baza ditore kërkohet ta shpërfaqin edhe ambasadorët e vendit, duke krijuar kushte për takime të liderëve të shtetit që përfaqësojnë në vendin ku punojnë.
Agon Maliqi thotë se problemi i izolimit të Kosovës megjithatë nuk është përgjegjësi e ambasadorëve sa është i shënjestrimit direkt të kryeministrit.
“Ambasadorët në vendet pritëse mund të bëjnë aq sa munden dhe sa i fuqizon qeveria dhe orientimi politik i saj”- thotë ai.
Shumë prej misioneve diplomatike, sipas tij, janë lënë pa staf dhe kapacitete minimale për ta kryer punën.
Kurse, Donika Emini thotë se në radhë të parë, Kosova ka mungesë të kapaciteteve dhe burimeve të nevojshme për të ndërtuar një diplomaci efektive dhe të fuqishme që do t’u paraprinte interesave strategjike të vendit në shtetet e caktuara.
Së dyti, sipas saj, ekziston një mungesë e investimit në lobimin profesional, veçanërisht në SHBA, ku suksesi është pothuajse i pamundur pa një lobim të fortë dhe të mirëstrukturuar.
Dhe së treti, Emini thotë se qeveria aktuale ka larguar diplomatë të suksesshëm nga pozitat e tyre për arsye politike.
“Ambasadorët e emëruar, pavarësisht kufizimeve, mund të luajnë një rol më aktiv në avancimin e agjendës së Kosovës”, thotë Emini, megjithëse sipas saj, kjo kërkon udhëzime të qarta dhe koordinim nga institucionet kryesore, si Ministria e Punëve të Jashtme, Presidenca dhe Kryeministria.
“Çdo event, takim apo diskutim politik në shtetet pritëse është i rëndësishëm. Të jesh ambasador i Kosovës kërkon përkushtim të gjithanshëm dhe një angazhim të palodhur për të arritur edhe sukseset më të vogla – një sfidë e veçantë për një vend me kompleksitetin e Kosovës”- thotë ajo.
Në shumë raste, sipas saj, në vend që Kosova të forcojë pozicionin e saj diplomatik, qoftë përmes lobimit apo bashkëpunimit me partnerët strategjikë, ajo ka kaluar kohën duke u ankuar për veprimet diplomatike të vendeve të tjera, duke e vendosur veten në një pozicion mbrojtës.
“Kjo qasje, e karakterizuar nga irritimi dhe antagonizmi i partnerëve ndërkombëtarë, ka sjellë jo vetëm mungesë takimesh, por edhe një reduktim të durimit dhe mbështetjes për Kosovën në përgjithësi”- shprehet Emini.
“Antagonizmi i vazhdueshëm nuk i sjell asnjë përfitim Kosovës”- konkludon ajo.
Mesazhi i Eminit është që Qeveria që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duhet të reflektojë dhe të nisë një proces të “shërimit të marrëdhënieve”, duke u treguar më strategjike në përcaktimin e prioriteteve.