Zgjedhjet në Kosovë kanë marrë vëmendjen e analistëve dhe profesorëve të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Njëri prej tyre është edhe profesori i pensionuar Alon Ben-Meir, i cili në një opinion të publikuar me titullin “A do t’i sjellin zgjedhjet parlamentare Kosovës një agim të ri” në “Emerging Europe” ka shkruar për katër vjetët e qeverisjes së Albin Kurtit.
Ai ka përmendur edhe një dështim të madh të Kurtit në çështjen ekonomike.
Profesori Ben-Meir ka thënë se asnjë investitor i huaj nuk ka ardhur në Kosovë në katër vjetët e fundit.
“Kjo kryesisht shkaku i deklaratave të përsëritura të Kurtit se Serbia dëshiron të nisë luftën në Kosovë, duke dekurajuar investitorët. Teksa importi është rritur, eksporti është ulur dhe kjo ka çuar në 5 miliardë euro deficit tregtar. Ndërkohë, inflacioni është rritur dhe konsumi i mallrave është shtrenjtuar”, shkruan profesori Ben-Meir.
“Në lidhje me papunësinë dhe migracionin, sipas të dhënave statistikore, papunësia është rreth 10.7 për qind. Në katër vjetët e fundit, më shumë se 150 mijë persona kanë braktisur Kosovën. Për më shumë, brenda një viti, rreth 100 doktorë dhe infermierë kanë migruar nga Kosova në shtetet evropiane, kryesisht në Gjermani, që ka ofruar më shumë mundësi punësimi për kosovarët”, shkruan profesori i angazhuar në Qendrën për Marrëdhënie Botërore në New York.
Ben-Meir shkruan edhe për gjendjen e keqe në sistemin shëndetësor.
“Ndërkohë, sistemi shëndetësor mbetet joefektiv, teksa shumë qytetarë ende kërkojnë shërbime shëndetësore në Serbi, Maqedoni të Veriut, Turqi dhe në shtetet evropiane. Kjo ka ndikuar që miliona euro të shpenzohen në trajtime mjekësore jashtë vendit”, shkruan profesori që për më shumë se 20 vjet është i angazhuar në çështje ndërkombëtare.