Nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka folur për procesin zgjedhor që po zhvillohet sot në Kosovë, për kryetarë komunash.
Pula për T7, ka deklaruar se deri më tani ka pasur dy raste të raportuara, për të cilat janë ndaluar tre persona.
Të ndaluarit janë dy në Fushë Kosovë, dhe një në Pejë.
‘’Po deri me tani kemi dy raste të raportuara, kur themi raste konsiderojmë persona të ndaluar. Në Fushë Kosovë kemi dy persona të ndaluar, për vepër penale për marrje dhe dhënie ryshfeti, dhe kemi një rast tjetër në komunën e Pejës, për vepër penale cenimi i fshehtësisë së votimit. Këta persona janë të ndaluar dhe ndaj tyre ka filluar procedurë penale’’, ka thënë ajo për T7.
Më tutje, ajo ka njoftuar edhe se nga ora 7 e mëngjesit janë angazhuar gjithsej një numër prej 80 prokurorëve dhe staf mbështetës i tyre, me qëllimin që të reagojnë në kohë reale.
‘’Gjithsej qe nga ora 7 e mëngjesit janë 80 staf, prokurorë së bashku staf mbështetës. Dhe prokurorët janë së bashku me hetuesit në kujdestari. Me qëllimin që të reagojnë në kohë reale’’, ka thënë ajo mes tjerash.












