Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të vazhdojë intervistimi i personave përgjegjës për procesin e numërimit të votave në Komunën e Klinës, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet lidhen me dyshimet për manipulim të votave, përkatësisht të rezultateve të kandidatëve të subjekteve politike në këtë komunë. Në këtë drejtim, Prokuroria ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e personave të përfshirë në procesin e numërimit.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Ata kanë bërë të ditur se opinioni publik do të njoftohet me kohë për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje.












