Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ftuar nga Prokuroria Speciale në rolin e dëshmitarit.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka publikuar ftesën nga Prokuroria Speciale, teksa ka njoftuar se ai ndodhet në mbledhje të kryesisë së Vetëvendosjes.
Ftesa është bërë për datën 16 dhjetor.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij, në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025.
“Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka pretenduar Kryeziu.