Kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale që të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit për një rast penal që po hetohet nga kjo Prokurori. Arsyeja e mosparaqitjes së Kurtit në Prokurori Speciale është se kryeministri ndodhet jashtë vendit në një udhëtim zyrtar.
Kështu u shpreh para gazetarëve zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj.
“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo Prokurori e ka në hetim. Nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është njoftuar se kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale”, tha Kozmaqi-Hajdaraj.
Ajo shtoi Prokuroria Speciale do të përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti.“Konform ligjit Prokuroria Speciale do ta përgatitë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër. Ky është i gjithë informacioni që mund ta ndajmë tani për tani”, tha Kozmaqi-Hajdaraj.