Për të pestën herë me radhë brenda dy javësh, partia fituese e zgjedhjeve me të njëjtën kandidate ka dështuar të konstituojë Kuvendin e Kosovës.
Vetëvendosje është duke insistuar në emrin e Albulena Haxhiut, e cila nuk arriti të sigurojë 61 vota për të marrë postin e kryeparlamentares.
Për të satën herë, Vetëvendosje thotë se i ka numrat, por në Kuvend del të jetë e kundërta. Akuzoi partitë e tjera për bllokadë, por nëse partia fituese nuk i ka votat, do të thotë se ajo është bllokuese e proceseve. Është kaq e thjeshtë.
Partitë tjera i kanë bërë thirrje që të ketë një tjetër emër për postin e kryetarit të Kuvendit. Haxhiun nuk e kanë cilësuar si figurë unifikuese, por përçarëse, për shkak të deklaratave të saj si ministre në mandatin e kaluar.
Por kjo është një histori që Vetëvendosje e parashikoi se do të ndodhte dhe po e përsërit vetë ajo. Kur koalicioni PAN nuk po gjente votat për ta bërë Kadri Veselin kryetar të Kuvendit, Kurti i bënte thirrje me “dil matuni”.
Madje, kishte thënë se nëse Veseli nuk ka votat, koalicioni të dilte me një tjetër emër. Ishte i bindur se ka plot emra që sigurojnë votat.
“Ne kemi dëgjuar se zotëri Veseli është kandidati i PAN-it për kryetar të Kuvendit, urdhëroni zotëri Veseli matuni. Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura. Nëse nuk i ka votat Veseli, jam shumë i bindur që në mesin e juaj ka shumë kandidatë që i kanë votat”, thoshte Kurti.
Të mërkurën, më 23 prill, pak pas dështimit të radhës, deputeti Hekuran Murati thoshte se deputetët e kanë obligim të votojnë emrin e propozuar nga partia fituese. Këtë lloj kushtëzimi e lidhi me pluralizmin demokratik. Të dyja nuk shkojnë bashkë.
Të mërkurën deputetët shkuan edhe më larg sa dështimin e vetë për të zgjedhur Haxhiun për kryetare të Kuvendit e lidhën edhe me çështje gjinore e me vota si deputete.
Deputeti Dimal Basha tha se është fatkeqësi që gratë pa asnjë arsye po dalin kundër Abulena Haxhiut me 126 mijë vota.
“Pra janë të gatshme me shkel avancimin e një gruaje me 126 mijë vota, veç për me përkrah kundërshtimin banal të opozitës. Çka me thanë, fatkeqësi”, shkroi Basha në Facebook.
Gjithsesi, votat në zgjedhje parlamentare, nuk janë matës edhe për zgjedhjen në krye të Kuvendit.
Ndërkaq, deputetja Mimoza Kusari-Lila bëri krahasime me vota mes Haxhiut dhe deputetëve të tjerë.
PDK-ja e ka cilësuar mentalitet arbitrar përpjekjen e votimit me zor të një kandidateje dhe se nuk ka vend në demokraci.
I ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të dalë me një tjetër emër. Njëjtë janë shprehur edhe LDK-ja e AAK-ja.