Qindra studentë bllokuan sot ndërtesën e transmetuesit publik RTS në Beograd, teksa protestat antiqeveritare në Serbi pritet të përshkallëzohen këtë fundjavë.
Studentët, sipas Associated Pressit, kishin bllokuar ndërtesën të hënën vonë në mbrëmje. Policia u përpoq t’i largonte ata, ndërsa turma u përpoq të bllokonte një hyrje në ndërtesë.
Ata u mblodhën sërish sot dhe thanë se do të qëndronin të paktën 22 orë.
Një protestë e ngjashme u organizua në Novi-Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë.
Studentët kanë udhëhequr demonstratat dhe protestat që nga tragjedia në Novi-Sad kur një çati e stacionit të trenit u shemb, duke vrarë 15 persona.
Ata pretendojnë se transmetuesi është në anën e presidentit Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë.
Presidenti ishte i ftuar në programin qendror të lajmeve të hënën. Ai kërcënoi se forcat e sigurisë do të ushtrojnë dhunë gjatë protestave të së shtunës dhe tha se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave.
“Duhet të më vrasësh për të më zëvendësuar”, theksoi ai.
Gazetari i quajti studentët protestuese “turmë”, diçka me të cilën presidenti duket se ishte dakord.
Megjithatë, Vuçiq dhe RTS-ja kohët e fundit kishin rënë në konflikt. Presidenti kishte thënë se mbulimi i ngjarjeve nga RTS ishte “marrëzi” dhe se gazetarët ishin “një turp për profesionin”.