Komuna e Prizrenit, nën udhëheqjen e Shaqir Totajt të PDK’së, është duke u akuzuar se në vitin 2022 kishte dhënë një tender prej afro 1.6 milionë euro për shtrimin e kubëzave në qytet. Sipas opozitës kontrata parashihte përdorimin e kubëzave prej graniti me cilësi të lartë. Por, për çudi, vetëm tri vite më vonë, këto kubëza po riparohen pasi janë dëmtuar dukshëm, duke ngritur dyshime për cilësinë e punimeve. Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga kryetari Totaj e Komuna e Prizrenit, por nuk janë përgjigjur. Insajderi sjell detaje.
Komuna e Prizrenit, e udhëhequr nga kryetari Shaqir Totaj, është duke u përballur me akuza të ashpra nga opozita lidhur me mënyrën se si janë realizuar disa projekte infrastrukturore në qytet.
Konkretisht, opozita pretendon se në vitin 2022, nën udhëheqjen e Totajt, komuna kishte dhënë një tender me vlerë afro 1.6 milionë euro për vendosjen e kubëzave në trotuaret e qytetit.
Sipas akuzave, çmimi për metër katror të këtyre kubëzave, bashkë me transport dhe montim, ka arritur në 42 euro. Vetëm për trotuaret, thuhet se nga buxheti i komunës janë shpenzuar rreth 600 mijë euro.
Në kontratë ishte specifikuar që kubëzat duhet të jenë prej graniti dhe të kenë cilësi të lartë, më të forta dhe më rezistente se ato që ndodhen në terren.
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Dafina Alishani, përmes një reagimi publik ka theksuar se punimet e kryera në vitin 2022 tashmë kanë dështuar, pasi vetëm pas tre vitesh kubëzat janë dëmtuar dhe po zëvendësohen.
“Këto kubëza janë shtruar në vitin 2022 nga qeverisja e Shaqir Totajt. Totali i kontratës ka kushtuar afro 1.6 milionë euro. Çmimi për metër katror, bashkë me transport e me montim, ka qenë 42 euro. Në total, vetëm për këto trotuare janë shpenzuar rreth 600 mijë euro nga buxheti. Anësoret dhe shtegun për personat me aftësi të kufizuara nuk i kam llogaritur,” ka shkruar Alishani.
Ajo ka ironizuar duke thënë se Totaj po i “riparon” punët që vetë i ka kryer vetëm tri vite më parë.
“Sot, në gusht të vitit 2025, pra pas tre vitesh, Shaqir Totaj po i meremeton kubëzat të cilat vetë i ka vendosur. Pra, Shaqa secilën punë e bën nga dy ose tri herë: një herë për vete, një herë për Nehatin dhe një herë për Çelën. Po nuk u bë kështu, kërset grushti!”.
Foto e gjendjes së kubëzave pas tri viteve nga vendosja e tyre:
Foto nga vendi ku po riparohen kubëza:
Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryetari Shaqir Totaj dhe Komuna e Prizrenit për pretendimet e ngritura.
Fillimisht, kërkesa e gazetës është përcjellë nga vetë Totaj tek Njësia për Komunikim me Publikun. Mirëpo deri në momentin e publikimin e këtij teksti nuk është dhënë ndonjë përgjigje.