Mbiemrat e njëjtë e telefonatat miqësore mund të hapin dyer pune. Në Kosovë, punësimi përmes lidhjeve familjare apo nepotizmi po shndërrohet në shqetësim. Këtë alarm e ngrisin vazhdimisht shoqëria civile që mbikëqyrin institucionet publike në të gjithë vendin.
Kiks Kosova ka pranuar informacione të dyshimeve për një rrjet nepotizmi brenda Komunës së Shtimes, ku punësimet e lidhura me afërsi familjare dyshohet të jenë bërë praktikë e zakonshme në vitet 2023-2024.
Këto informacione përfshijnë emra individësh që dyshohen të kenë lidhje familjare e miqësore duke nisur nga i pari i komunës, Qemajl Aliu që vjen nga radhët e partisë Lëvizja Vetëvendosje, e deri te zyrtarë tjerë komunalë.
Lulzim Sahiti, i cili deri në 2023 ishte Drejtor i Arsimit në Komunë të Shtimes, por që kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe tanimë është zyrtar për informim, është një ndër emrat e zyrtarëve komunalë që dyshohet të ketë ndikuar në punësime familjare.
Gruaja e tij, Leonora Sahiti në 2023-ën u punësua si Asistente për fëmijë me nevoja të veçanta në Shkollën “Emin Duraku”, ndërsa dyshohet që vajza e tij, Leontina Sahiti u punësua si mësimdhënëse klasore në 2024-ën.
Por që për këto dy punësime, ish-drejtori Sahiti jo që nuk dha një qëndrim, por e mbylli telefonin me t’u prezantuar gazetarja e Kiksit.
Gruaja e Sahitit, Leonora Sahiti, pasi u telefonua nga Kiksi, tha që burri kishte ndikuar në punësimin e saj, por që pas telefonatës ndryshoi qëndrim, duke shtuar që kjo përgjigje e saj u keqinterpretua ngase ajo kishte keqkuptuar pyetjen e gazetares, dhe me ndikim kishte menduar që fjala ishte për mendimet e të tjerëve rreth punësimit të saj, por që pohon që ajo ka plotësuar kriteret e nevojshme dhe burri saj nuk ndikoi aspak.
Në Shtime, vend pune gjeti edhe motra e Drejtorit të Shërbimeve Publike, Bardhyl Rushitit, por që ky i fundit tha për Kiksin që ai nuk ndikoi aspak në punësimin e saj.
Përveç zyrtarëve komunalë që vijnë nga radhët e partisë që udhëheq në Shtime, Vetëvendosje, dyshimet janë që në këtë qytezë u punësuan të afërm edhe të partive që janë në koalicion, LDK e AKR. /Klankosova.tv