Presidenti rus, Vladimir Putin, në takimin me Presidentin amerikan Donald Trump në Alaska, kërkoi që Ukraina të tërhiqet nga rajoni i Donetskut si kusht për t’i dhënë fund luftës, shkruan Financial Times, duke cituar burime të shumta të informuara mbi bisedimet.
Putin i tha Trumpit se në këmbim të Donetskut do të pranonte ngritjen e vijës së betejës në jug, në rajonet Kherson dhe Zaporizhia, ku forcat ruse mbajnë një pjesë të madhe të territorit, dhe se nuk do të nisë sulme të reja për pushtimin e zonave të tjera.
Trump e përcolli këtë mesazh Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësve evropianë gjatë një telefonate mbrëmë, duke i nxitur të braktisin përpjekjet për të detyruar Moskën në një armëpushim, raporton Financial Times.
Sipas gazetës, Putin ka bërë të qartë se nuk ka hequr dorë nga kërkesat kryesore për “zgjidhjen e shkaqeve rrënjësore të konfliktit”, që do të nënkuptonte efektivisht fundin e shtetësisë ukrainase në formën e saj aktuale dhe ndalimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.
Forcat ruse kontrollojnë rreth 70% të Donetskut, ndërsa pjesa perëndimore, me qytete kyçe, mbetet nën kontrollin ukrainas dhe është thelbësore për mbrojtjen në frontin lindor.
Burime pranë Zelensky-t thanë për Financial Times se ai nuk do të pranojë dorëzimin e Donetskut, por është i gatshëm të diskutojë për territorin me Trump në Uashington, ku të dy do të takohen të hënën. Ai është gjithashtu i hapur për një takim të mundshëm trepalësh me Trump dhe Putin.
As Shtëpia e Bardhë, as zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk kanë komentuar mbi raportimet e Financial Times.