Kamionë me pesha të rënda ishin dërguar në Mitrovicë për ta testuar urën kryesore mbi lumin Ibër, ndërkohë që ndërkombëtarët kundërshtonin hapjen e saj dhe ajo mbeti ashtu me gjithë ‘spektaklin’ për të, të cilin Qeveria e mbajti të gjallë aq sa mundi. E një urë rreth 5 kilometra larg kryeqytetit, është hapur për qarkullimin e automjeteve, pa testim fare. Zëvendësministri i Infrastrukturës, që raportonte nga Mitrovica për testimin e urës mbi Ibër, garanton se ura e Badocit është “shumë stabile”. Sipas Hysen Durmishit, mjafton që këto ditë nëpër të kanë kaluar “pa asnjë problem” shumë makineri me pesha të rënda, ndërsa testimin, i cili do t’i bëhet nesër, e konsideron formal.
Rreth dy vjet pasi ura mbi liqenin e Badocit u bllokua për qarkullim të automjeteve, iu vendos shtresa e asfaltit.
Ura, për ndërtimin e së cilës Qeverisë iu desh shumë kohë, nuk është testuar, megjithëse ajo është hapur për qarkullimin e automjeteve.
Stabiliteti i strukturës së kësaj ure të ndërtuar në mënyrën më të avashtë, nuk dihet.
Nga “DRENI INGINERING”, kompania e cila është përgjegjëse për kryerjen e testimit të urës, kanë pranuar se asaj nuk i është bërë testimi.
“Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës”, ka thënë Adnan Lushtaku për Kallxo.com.
Zëvendësministri i Infrastrukturës njoftonte dy ditë para vitit të ri se “është vendosur shtresa e asfaltit në urën në Badoc”.
“Ka filluar vendosja e sinjalizimit vertikal dhe posa të përfundoj edhe sinjalizimi horizontal ura do të hapet për qarkullimin e automjeteve”, kishte shkruar ai në një postim në Facebook.
Durmishi e konsideron “vetëm formal” testimin, siç është shprehur në një postim në facebook.
“Ura e Badocit është stabile”, shkroi ai sot. Duke përmendur inspektimet e materialeve, testimet e betorin e armaturës gjatë ndërtimit, Durmishi deklaron “me përgjegjësi të lartë profesionale” se “Ura e Badocit është shumë stabile”.
Testimi final, tha se do të bëhet nesër.
“Gjatë gjithë këtyre diteve aty kan kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër”.
Nuk e la pa lëshuar akuza që u përmend fakti se ajo nuk është testuar.
“Dje dhe sot po mundohen të ngjallin pasiguri te qytetarët me rastin e hapjes së urës së Badocit” shkroi ai.
Durmishi do ta ketë vizituar më shpesh urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë që qëndron e mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999.
Ajo urë ishte testuar në verë, ndërkohë që Qeveria shprehej e bindur se do të hapej. Perëndimi i tha kryeministrit Albin Kurti se kjo nuk duhet të ndodhte tash, dhe ashtu mbeti.
Puna kishte shkuar deri aty sa Policia kishte thënë se ishte e gatshme ta ekzekutonte ndonjë urdhër të mundshëm për hapjen e urës mbi Ibër, ndërkohë që KFOR-i kishte paralajmëruar se nuk do ta lejonte këtë, me trupat e misionit paqeruajtës së NATO-s që po qëndronin në urë dhe përreth saj.
Komandanti i KFOR-it atë kohë, Ozkan Ulutash ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha se një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër do të kryhej.
Kamionë me pesha të rënda do të shiheshin mbi urën e lumit Ibër më 8 gusht 2024. Qëndrueshmëria e saj ishte testuar.
Durmishi thoshte pak ditë më pas se sipas një raporti fillestar, ura mbi lumin Ibër në veri është “e qëndrushme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdorej për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.
“Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, shkruante Durmishi në Facebook.
Ndërkohë që testimi u bë, ura madje edhe u ngjyros e u bë gati, zëvendësministri llogariste se e kishte kryer detyrën.
Bashkimi Europian thoshte se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.
Një vendim për hapjen e urës ishte marrë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar në dialog që ura të hapej për qarkullim, por në praktikë gjendja nuk ka ndryshuar. E hapur është vetëm një vijë anash për këmbësorë./GazetaExpress