Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje është vendosur për të pranuar emigrantë të dëbuar nga SHBA-ja.
‘’Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të.Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi’’ thuhet në njoftim.
Po ashtu në këtë mbledhje është vendosur që të themelohet Këshilli Organizativ për varrimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi.
Më tutje sipas njoftimit është bërë e ditur se Qeveria ka marrë vendim që familjes së Bujar Bukoshit ti ndahen 10 mijë euro.
‘’Themeluar Këshillin Organizativ për varrimin e ish-kryeministrit Bujar Bukoshi, i cili nën patronatin e Kryeministrit në detyrë merr përgjegjësinë që të organizojë ceremoninë mortore që përfshinë mbledhjen komemorative që do të mbahet nesër, homazhet në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe bartjen e arkivolit nga Forcat e Sigurisë të Kosovës për në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani. Në kuadër të këtij vendimi, Familjes Bukoshi i ndahen 10,000 euro’’ thuhet në njoftim.