Autobusët e parë janë nisur nga Prishtina drejt Tiranës në protestën në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.
Me flamuj kuqezi, simbolet e UÇK-së dhe këngë patriotike, qytetarët nga Kosova kanë nisur kështu marshimin drejt Shqipërisë për protestën gjithëkombëtare.
Rreth 60 autobusë është paralajmëruar se do nisen drejt Tiranës.“Unë jam UÇK” është moto e kësaj proteste, e cila do të fillojë në ora 17:00 në sheshin “Skënderbe”.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka njoftuar sot se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë.
Koordinatori i kësaj proteste, Shkelqim Hajdari, ka treguar tregoi se kush do të jenë folësit në sheshin “Skënderbe”.
Ai ka bërë me dije se protestuesve do të iu drejtohet kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti.
“Nuk do ketë shumë folës, nuk do ketë politikanë. Protesta do të hapet nga kryetari i Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati dhe do të mbyllet, jo si politikan, por si ish-udhëheqës i luftës si në Kosovë, si në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti”, ka thënë ai.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale. /Reporteri.net/