Raiffeisen Bank ka qenë cak i një mashtrimi kompjuterik, ku dyshohet se këtij institucioni financiar iu janë marrë përreth 186 mijë euro përmes ndërhyrjes në sistem.
Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar për arrestimin e 15 personave, të cilët dyshohet se në mënyrë të koordinuar e realizuan këtë akt.
Personat e arrestuar janë: B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “’Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’’.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se të lartcekurit dyshohen se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe ne marrëveshje paraprake ne mes vete kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë (186.000) mijë euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria pas ndalimit të të dyshuarve, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të cekura si më lart./Insajderi.org/