Njohësi i çështjeve të sigurisë thekson se përmes FSK-së dhe ekspertizës civile, Kosova mund të tregojë konsolidimin e shtetësisë dhe sigurisë së saj.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka deklaruar se kontributi i Kosovës në Gaza duhet të jetë simbolik, por gjithashtu mbështetës për përpjekjet amerikane në stabilizimin e situatës atje. Ai theksoi se ky kontribut mund të realizohet përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ekspertizës civile.
“Kosova ka kapacitete të specializuara për kontribut ushtarak në Forcën Stabilizuese në Gaza, dhe për këtë duhet të ketë një rol simbolik mbështetës,” tha Ramadani.
Ai vlerësoi se pjesëmarrja simbolike e Kosovës do të shërbente si dëshmi për konsolidimin e shtetësisë dhe sigurisë së vendit para komunitetit ndërkombëtar, duke ruajtur gjithashtu një qasje racionale në aspektet buxhetore të operacionit.
Ramadani shtoi se, si një shtet i ndërtuar mbi suksesin e ndërhyrjes ndërkombëtare ushtarake, Kosova është shembull botëror se si mund të kontribuojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me trupat amerikane.













