Sergio Ramos ka zbuluar se në fillim kishte hezituar t’i bashkohej Paris Saint-Germainit.
Futbollisti spanjoll ka folur në kanalin zyrtar të UEFA-s para sfidës së sontme ndaj Bayern Munichut, ndërsa gjeti kohë të kthehej edhe tek vendimi për t’u larguar nga Real Madridi e për të përfunduar në “Parkun e Princave”.
“Në fillim, në Paris më shkonte gjithçka keq. Jam lënduar, kam hasur në vështirësi ta merrja veten dhe të adaptohesha në sistemin e ri, në skuadrën e re dhe me trajnerin e ri. Fillova të mendoja dhe të pyesja nëse e kam bërë zgjedhjen e duhur. Por, karriera ime gjithmonë është karakterizuar me qëndrueshmëri dhe këmbëngulje. Nëse vazhdon të luftosh, gjërat do të kenë më shumë kuptim në të ardhmen”, u shpreh Ramos, përcjell “Gazeta Express”.
Ai e lavdëroi trajnerin Christophe Galtier, për të cilin thotë se eksperiencën që e ka marrë në klubet ku ka punuar, po mundohet ta transmetojë tek ekipi aktual.
Ramos foli edhe për sfidën e sontme me Bayern Munichun.
“Është njëra prej skuadrave më të mira dhe nëse e mposhtim, do të ishte një mesazh mjaft pozitiv për t’ia dhënë krejt botës. Për ta fituar Ligën e Kampionëve duhet të fitosh kundër më të mirëve dhe Bayerni është njëri prej tyre”, përfundoi Ramos. /Gazeta Express/













