Ramush Haradinaj, kryetar i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pritur në takim ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për proceset e sigurisë dhe integrimeve euroatlantike, me theks te synimi për anëtarësim në NATO.
Ai theksoi se forcimi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë–Shqipëri mbetet prioritet strategjik, ndërsa falënderoi Qeverinë shqiptare, të udhëhequr nga Edi Rama, për përkushtimin ndaj çlirimtarëve që po përballen me drejtësinë në Hagë.
“Kënaqësi ta mirëpresim Ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali. Në takim vlerësova angazhimin e Qeverisë shqiptare në çështjet me rëndësi për Kosovën. Diskutuam për zhvillimet që po kalojnë Kosova, Shqipëria dhe rajoni, si dhe për proceset që na presin përpara, veçanërisht ato që lidhen me sigurinë dhe proceset integruese, me synimin tonë strategjik, anëtarësimin në NATO. Forcimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet prioritet i përhershëm i yni. Integrimi ndër shqiptar është domosdoshmëri kombëtare dhe garanci për të ardhmen tonë të sigurt. I shpreha falënderimin për kujdesin dhe përkushtimin e Qeverisë shqiptare, të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, ndaj çlirimtarëve që po përballen me drejtësinë në Hagë”, ka shkruar Haradinaj në Facebok.













