Lista Serbe nuk do t’ia japë votën Albin Kurtit për Kuvendin e Kosovës. Kështu deklaroi politikani serb, Nenad Rashiq në Klan Kosova.
Ai tha se deputetët e kësaj partie serbe janë aq të disiplinuar sa atë nuk guxojnë as ta përshëndesin.
“Ata persona nga Lista Serbe janë emëruar si deputetë dhe s’ka qenë diskutabile a do të jenë apo jo, por se sa do të jenë. Ata aq janë të disiplinuar, sa nuk guxojnë as ‘mirëmëngjes’ të më thonë. Edhe nëse bëhet votim i fshehtë, votat e Listës Serbe nuk shkojnë për Kurtin”, tha ai.
Rashiq po ashtu vlerësoi se Lista Serbe do ta ketë rolin destruktiv, siç tha, sikur që e kemi parë deri më tani.
“Destruktiviteti do të reflektohet më së shumti mbi bashkëqytetarët serbë, sepse çdo gjë që e ka bërë Lista Serbe në 13 vjetët e fundit, që prej formimit të saj, e ka bërë kundër interesave të serbëve, kundër integrimit të tyre, pajtimit, tolerancës, etj., prandaj asgjë të mirë nuk pres nga ana e Listës Serbe”, tha Rashiq.