Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Nenad Rashiq tha sot se nuk është optimist për votimin e qeverisë së re të martën.
Rashiq, i cili u regjistrua sot si deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se do të votojë për kryetarin e ri të kuvendit nëse vjen një propozim nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kqyrim për nesër, do të marrim pjesë në seancë normalisht”, tha ai të hënën në një paraqitje para gazetarëve. “Nëse ka një propozim, sigurisht që po. Nuk e shoh ndonjë problem në atë aspekt, edhe pse mund t’i pyesni a i kanë numrat [Lëvizja Vetëvendosje]”.
Ai tha se beson për krijimin e një qeverie nga Vetëvendosje, por tha se nuk është optimist që kjo do të ndodhë të martën.
“Nuk jam optimist që do të votojmë nesër për qeverinë”, tha Rashiq.
Deputetët e rinj, të zgjedhur më 9 shkurt, mblidhen të martën në takimin konstituiv të Kuvendit të Kosovës. Seanca fillon nga ora 10:00.