Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Rasti “Fajdeja”/Mbi 500 mijë euro para me fajde: Të akuzuarit Mulolli, Kurda, Sopjani e Haxhiu dënohen vetëm me gjobë, Krasniqi me 8 muaj burgim (Dokument)

18/02/2026 - 10:13
në HULUMTIME, Kryesore, Lajme
A A
Rasti “Fajdeja”/Mbi 500 mijë euro para me fajde: Të akuzuarit Mulolli, Kurda, Sopjani e Haxhiu dënohen vetëm me gjobë, Krasniqi me 8 muaj burgim (Dokument)
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në mars dhe maj të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte zhvilluar dy aksione kundër fajdes, duke bastisur disa shtëpi, lokale e autosallone në shumë qytete të Kosovës. Aksioni ishte zhvilluar me shumë pompozitet, por që disa prej personave të përfshirë në dhënie të fajdes, kanë marrë vetëm dënime me gjobë, raporton Veriu.info.

Në dhjetor të vitit 2024, prokurori Rasim Maloku ka ngritur aktakuzë kundër shtatë (7) personave të përfshirë në rastin “Fajdeja”, me marrëveshje për pranim të fajësisë, ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Ferizaj në një përgjigje për Veriu.info.

Veriu.info ka arritur të sigurojë aktakuzën e këtij rasti të fajdes të ngritur nga prokurori Rasim Maloku, ku të dëmtuar ishin: G.Z. – djali i një biznesmeni nga Prishtina, B.D., dhe biznesmeni Samir Bajrami. Aktakuza ishte ngritur më 3 dhjetor 2024 kundër Bashkim Mulolli, Albi Mulolli, Muharrem Kurda, Rrahman Sopjani, Shukri Haxhiu, Bali Krasniqi dhe Arlind Hasani.

Duke qenë se të akuzuarit kishin hyrë në marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorin, lënda është proceduar në procedurë të përshpejtuar, ku më 28 mars 2025 është shpallur aktgjykimi ndaj katër (5) të akuzuarve, ndërsa ndaj dy (2) prej tyre është veçuar procedura pasi që nuk janë gjendur në Kosovë.

Veriu.info ka siguruar aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj Albi Mulolli, Muharrem Kurda, Rrahman Sopjani, Shukri Haxhiu e Bali Krasniqi, të cilëve dënimi i shqiptuar iu ka kthyer në vlerë monetare (gjobë), përveç Bali Krasniqit, përkundër që janë shpallur fajtorë për fajde, detyrim, organizim të skemave piramidale dhe bixhozit, armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.

AKTGJYKIMI I GJYKATËS THEMELORE NË FERIZAJ

Albi Mulolli

Me aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt, Albi Mulolli është gjetur fajtor për këto vepra penale: Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm; Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Albi Mulolli

Me vetëm 6 (gjashtë) muaj burgim është dënuar për organizim të bixhozit të paligjshëm, dënim i cili i është zëvendësuar me gjobë prej 10 mijë euro; 2 000 (dymijë) euro është gjobitur për posedim të paautorizuar të armëve dhe 1 000 (njëmijë) euro për posedim të narkotikëve.

Gjykata Albi Mulollit i ka shqiptuar dënim unik prej 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro dhe i ka konfiskuar rreth 100 fishekë e 0.40 gram marihuanë.

Muharrem Kurda

Gjykata ka dënuar me 5 (pesë) muaj burgim për fajde, të cilin ia ka zëvendësuar me gjobë prej 5 000 (pesë mijë) euro dhe një gjobë tjetër prej 2 000 (dy mijë) euro.

Të njëjtit, gjykata i ka shqiptuar dënim unik me gjobë prej 7 000 (shtatë mijë) euro, duke e obliguar t’i kompensojë të dëmtuarit shumën prej 6 200 euro.

Avokati i Muharrem Kurdës nuk ka treguar nëse klienti i tij e ka kompenzuar të dëmtuarin B.D. në vlerë prej 6200 euro sipas aktgjykimit të Gjykatës.

“Ju lutem kontaktoni më palën pasi që obligimet i permbush pala dhe jo avokati dhe nuk kam të drejt të lëshohem në këto detaje pa leje të palës dhe nuk kam informacion”, ka thënë për Veriu.info avokati Shkelzen Behrami, i cili nuk na ka dhënë numër kontaktues të Muharrem Kurdës përkundër kërkesës tonë.

Rrahman Sopjani

Ky i akuzuar është dënuar për veprën penale fajde me 6 (gjashtë) muaj burgim, dënim të cilin gjykata ia ka zëvendësuar me gjobë prej 5 mijë euro.

I dënuari Rrahman Sopjani është obliguar nga gjykata që të dëmtuarit S.B. t’ia paguajë dëmin në shumë prej 18 mijë euro.

Shukri Haxhiu

Është dënuar me 6 (gjashtë) muaj burgim për veprën penale në bashkëkryerje, fajde, dënim i cili i është zëvendësuar me gjobë prej 10 mijë euro dhe njëkohësisht është dënuar edhe me një gjobë prej 5 mijë euro.

Shukri Haxhiu është dënuar me 500 euro edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi të armëve pa autorizim.

Gjykata e Ferizajt i ka shqiptuar dënim unik prej 15 mijë e 500 euro, i cili mund të paguhet me këste brenda një viti nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Këtij të dënuari për fajde i është konfiskuar edhe dobia pasurore prej 15 mijë euro e përfituar nga kryerja e veprës penale dhe 30 fishekë të kalibrit 9 mm.

Bali Krasniqi

Ky i akuzuar është dënuar për fajde me 8 muaj burgim, i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe me 5 mijë euro dënim me gjobë. Bali Krasniqi për veprën penale detyrim në tentativë është dënuar me 5 mijë euro dhe me 6 (gjashtë) muaj burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda periudhës 1-vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.

Për armëmbajtje pa leje është dënuar me 2 mijë euro, ndërsa për posedim të narkotikëve është dënuar me gjobë prej 500 euro. Për të akuzuarin Bali Krasniqi, gjykata ka shpallur dënim unik prej 8 (tetë) muajsh burgim efektiv, dënim me gjobë prej 12 mijë e 500 euro dhe dënim me burgim prej 6 muajve, por ky i fundit nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.

Bali Krasniqi

Atij i janë konfiskuar në mënyrë të përhershme një revole Crvena Zastava me shtatë fishekë, një revole Zoraki, 35 fishekë, si dhe 0.81 gram substancë narkotike marihuanë. Ndaj të akuzuarve Bashkim Mulolli e Arlind Hasani është bërë veçimi i procedurës penale pas propozimit nga avokatët e tyre, me arsyetimin se të njëjtit gjenden jashtë vendit.

Veriu.info ka kontaktuar avokatin Muhamet Mehmeti, i cili në këtë çështje e mbrojtur Bali Krasniqin, për të marrë përgjigje se a e ka mbajtur burgimin prej 8 (tetë) muajsh klienti i tij, por që ka dalë se dënimin me burgim i njëjti pothuajse e ka kryer më rastin e arrestimit.

“Dënimin ky veçse e ka mbajtur gjatë procedurës paraprake, sepse ka qenë në masën e paraburgimit për më tepër se 5 muaj, si dhe në arrest shtëpiak rreth 2 muaj. Prandaj ajo kohë që e ka kaluar në paraburgim dhe arresti shtëpiak, ju llogaritet në këtë 8 muaj dënim me burgim”, ka thënë për Veriu.info avokati Muhamet Mehmeti për klientin e tij Bali Krasniqi.

Çka përmbante aktakuza për të pandehurit?

Aktakuza e siguruar nga Veriu.info, që është ngritur nga prokurori Rasim Maloku, thotë se nga 6 mars 2023 deri më 16 maj 2023 Bashkim Mulolli dhe Arlind Hasani, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të G.Z. për shkak të vështirësive financiare në ndërmarrjen e tij “MCM City Center”, i kanë dhënë para me fajde të dëmtuarit, duke arritur vlerën 72 mijë e 500 euro, për të cilat i dëmtuari ka paguar fajde 7 mijë e 200 euro në muaj dhe e ka lënë peng një veturë në vlerë 90 mijë euro.

Në pamundësi për t’i kthyer borxhin e fajdeve, i dëmtuari G.Z. është detyruar që të luajë në lojërat e fatit, duke hyrë në borxh 250 mijë euro, ku borxhi total ka arritur në 335 mijë euro dhe, në pamundësi të paguajë borxhin me fajde, është kërcënuar vazhdimisht nga të pandehurit derisa është detyruar ta paraqesë rastin në polici.

Bashkim Mulolli dhe Arlind Hasani e kanë kanosur seriozisht të dëmtuarin G.Z. në zyrën e tij në kompaninë “MCM City Center”, nga i cili kanë kërkuar paratë në vlerë prej 330 mijë euro. Në një moment gjatë detyrimit, Arlind Hasani e kërcënon të dëmtuarin G.Z. me fjalët “jo more qitu po rri, të vras si qenin”, duke e detyruar t’ia dorëzojë çelësat e një veture Mercedes GLA si peng.

Bashkim Mulolli

Albi Mulolli ishte akuzuar për organizim të bixhozit të paligjshëm pasi që, sipas prokurorisë, ekzistonte dyshimi i bazuar se në fillim të vitit 2023 në rrjet e kanë futur të dëmtuarin G.Z. për shkak të pamundësisë që t’i kthejë borxhet në shumën prej 185 mijë euro për shkak të fajdeve të pandehurit Bashkim Mulolli.

Të pandehurit i kanë hapur të dëmtuarit G.Z. një llogari në telefon, kinse duke i transferuar 100 mijë euro, por që i kanë thënë se i ka humbur brenda një (1) ore duke luajtur lojëra të fatit; pastaj kinse i kanë transferuar edhe 150 mijë euro, të cilat gjithashtu i kanë thënë se i ka humbur për dy ditë. Pas këtyre veprimeve, të dëmtuarit G.Z. i kanë thënë se borxhi total i ka arritur në 435 mijë euro dhe për to i kanë marrë peng një “Mercedes S560” në vlerë prej 90 mijë euro, veturë e cila ka qenë pronë e kompanisë “MCM City Center”.

Arlind Hasani e Bali Krasniqi, sipas aktakuzës së prokurorisë, akuzoheshin se në mars 2023 e kanë detyruar të dëmtuarin G.Z. që të blejë një veturë nga Bali Krasniqi në vlerë prej 50 mijë euro, të cilën menjëherë i dëmtuari ia ka shitur Bali Krasniqit për 23 mijë euro, ku me këto para kinse është paguar borxhi prej 4 mijë euro ndaj Arlind Hasanit dhe borxhi prej 6 mijë euro ndaj personit me emrin Jeton, përderisa shuma tjetër prej 13 mijë euro është ndalur nga Bali Krasniqi për t’i paguar kinse disa borxhe të tjera për të dëmtuarin G.Z.

Në maj 2023 kishte ndodhur aksioni i prokurorisë ku edhe ishte arrestuar, por që Bali Krasniqi nuk ndalej as përballë kësaj situate. Ai kishte marrë guximin që më 6 shkurt 2024 ta kanosë të dëmtuarin G.Z. për ta detyruar të paguajë shumën prej 25 mijë euro me pretendim se i ka paguar disa borxhe të tij.

“O zotni je met sha, po nkoft nevoja kam me t’vra a morre vesh, ndash merre si kërcënim, ndash shko në polici, ndash shko në prokurori”, ishin fjalët e Bali Krasniqit drejtuar G.Z., të cilin paraprakisht nuk e kishte gjetur në kompaninë “MCM City Center”. Pas këtij kërcënimi, G.Z. e kishte raportuar rastin në polici.

Sipas aktakuzës së prokurorit Rasim Maloku, Arlind Hasani më 2 dhjetor 2022 në bashkëkryerje me I.A. kanë kontraktuar një shumë joproporcionale të parave në këmbim të huas që i kanë dhënë të dëmtuarit G.Z., për shkak se i dëmtuari kishte borxh ndaj Bashkim Mulollit si pasojë e parave të marra me fajde.

I dëmtuari G.Z., përmes Arlind Hasanit, është detyruar të kërkojë hua nga i pandehuri I.A. shumën prej 11 mijë euro për një afat deri më 28 shkurt 2023 me obligim të kthimit në vlerë prej 25 mijë euro. Por, në pamundësi që ta kthejë shumën e marrë në hua dhe pjesën e fajdes, G.Z. është detyruar të marrë nga I.A. një veturë “Range Rover” për një çmim prej 130 mijë euro, përderisa vlera reale e veturës ishte 50 mijë euro.

G.Z. është detyruar që këtë veturë ta shesë menjëherë te një person që i ka propozuar i pandehuri për 47 mijë euro, prej të cilave 25 mijë euro ia ka paguar të pandehurit I.A. për borxhin paraprak, 12 mijë euro i ka paguar të pandehurit O.P., gjë që ka bërë që borxhi i G.Z. ndaj të pandehurit I.A. të mbetet në vlerë prej 130 000 euro.

Nga këto 130 mijë euro borxh që iu kanë akumuluar nga data 2 dhjetor 2022 deri më 28 shkurt 2023, i dëmtuari G.Z. i ka marrë realisht vetëm 11 mijë euro më 2 dhjetor, 12 mijë euro për pagesë të borxhit ndaj O.P. dhe 10 mijë euro mbetje nga shitja e “Range Rover”, që në total janë 33 mijë euro.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, Arlind Hasani në janar 2023 i ka ndërmjetësuar të dëmtuarit G.Z. që të marrë para me fajde nga O.P. në vlerë prej 10 mijë euro për t’ia kthyer pas 10 ditësh 2 mijë euro më shumë në emër të fajdes, ku në pamundësi për ta paguar borxhin është detyruar çdo 10 ditë të paguajë nga 2 mijë euro në shumë totale prej 16 mijë euro, si dhe borxhin kryesor prej 10 mijë euro. Pra, për 10 mijë euro të marra me fajde, ka paguar gjithsej 26 mijë euro, duke u dëmtuar për 16 mijë euro.

Prokuroria e ngarkonte Muharrem Kurdën me veprën penale fajde, pasi që i njëjti në janar 2022 i kishte dhënë hua të dëmtuarit B.D. shumën prej 4 mijë euro me obligim që të paguajë çdo javë 400 euro fajde, ku bashkëshortja e tij është detyruar të paguajë 6 200 euro për fajde, kurse borxhi prej 4 mijë euro ka mbetur i papaguar.

I akuzuari dhe dënuari për fajde, Rrahman Sopjani, më 2022 në Vushtrri i kishte dhënë të dëmtuarit Samir Bajrami – pronar i kompanisë “Ornela” – me fajde shumën prej 20 mijë euro, për të cilat i dëmtuari ka paguar çdo javë nga 1 mijë euro në emër të fajdes, duke pësuar dëm pasuror prej 18 mijë euro.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria në bazë të së cilës është dënuar Shukri Haxhiu, ai në bashkëkryerje me të pandehurin Salih Sinani kanë detyruar Samir Bajramin të kërkojë para me fajde nga Salih Sinani, i cili paratë i ka marrë nga Shukri Haxhiu në shumën prej 30 mijë euro me fajde prej 3 mijë euro në muaj, për të cilat i dëmtuari ka paguar 18 mijë euro për gjashtë muaj.

Veriu.info mëson se të pandehurit Bashkim Mulolli dhe Arlind Hasani edhe përkundër marrëveshjes me prokurorin, nuk kanë ardhur as sot e kësaj ditë në Kosovë për të bërë të plotëfuqishme të njëjtën me aktgjykim të gjykatës.

Kush është i dëmtuari G.Z.?

Burime të Veriu.info bëjnë se i dëmtuari G.Z. është djali i pronarit të kompanisë “MCM City Center” rreth së cilës kishte ndodhur ngjarja.

Veriu.info ka tentuar të kontaktoj me G.Z., duke dërguar pyetje në një prej kompanive aktive të babait të tij, ku edhe punon i dëmtuari, por që deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi marrë përgjigje.

Vazhdon nesër: Kush janë katër të akuzuarit në rastin “Fajdeja” të cilëve me marrëveshje për pranim fajësie iu është ngritur aktakuzë më 11 dhjetor 2025.

Tags: AktakuzeAktgjykimAlbi MulolliArlind HasaniBali KrasniqiBashkim MulolliFajdeMuharrem KurdaRasim MalokuRrahman SopjaniShukri Haxhiu

JU REKOMANDOJMË

Ish-ambasadori holandez në Kosovë: Gjykata Speciale u krijua nga shërbimi sekret serb

18/02/2026 - 11:00

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, në një lidhje direkte në A2CNN, deklaroi se nuk ka qenë personalisht dakord me Gjykatën Speciale, pasi, sipas tij, ajo u...

Më shumëDetails

Misetic: Prokuroria e Hagës ka bërë mëkatin e madh dhe të pafalshëm në gjykim

Misetic: Prokuroria e Hagës ka bërë mëkatin e madh dhe të pafalshëm në gjykim
18/02/2026 - 10:43

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Misetic, ka thënë se Prokuroria Speciale e Hagës, ka bërë mëkatin, për të cilin një mësues i kishte folur shumë kohë më...

Më shumëDetails

Asambleistët e PDK-së në Prishtinë me aksion simbolik

Asambleistët e PDK-së në Prishtinë me aksion simbolik
18/02/2026 - 10:41

Asamleistët e PDK-së në Prishtinë me aksion simbolik në seancën solemne të Kuvendit komunal. Ata vendosën një flamur në foltore dhe shpërndanë simbolin e UÇK-së. Përmes një postimi...

Më shumëDetails

Fjala përfundimtare e ish-krerëve të UÇK-së, Hamza: Dje foli populli, sot flasin ata

Hamza pas vendimit të Speciales: Kosova nuk do të lejojë rishkrim të historisë sonë
18/02/2026 - 10:10

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar se rrugëtimi i popullit të Kosovës drejt lirisë ka qenë me sakrifica të mëdha. Duke shpërndarë pamje nga marshi i djeshëm...

Më shumëDetails

Zbulohet kontrabanda me tonerë në kufirin e Vërmicës, vlera rreth 2300 euro

Zbulohet kontrabanda me tonerë në kufirin e Vërmicës, vlera rreth 2300 euro
18/02/2026 - 09:56

Në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë realizuar një kontroll të detajuar ndaj një automjeti, pas deklarimit të drejtuesit të mjetit se nuk posedonte mallra...

Më shumëDetails

Kurti: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, për liri e mbijetesë

Kurti: Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të UÇK-së
18/02/2026 - 09:42

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Gjatë fjalës së tij të mërkurën në hapjen...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Rasti “Fajdeja”/Mbi 500 mijë euro para me fajde: Të akuzuarit Mulolli, Kurda, Sopjani e Haxhiu dënohen vetëm me gjobë, Krasniqi me 8 muaj burgim (Dokument)

    Rasti “Fajdeja”/Mbi 500 mijë euro para me fajde: Të akuzuarit Mulolli, Kurda, Sopjani e Haxhiu dënohen vetëm me gjobë, Krasniqi me 8 muaj burgim (Dokument)

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • Ish Komandanti i Njësisë Speciale, Bekim Shyti sot feston ditëlindjen, ripublikojmë njërin prej aksioneve më suksesshme të tij (Video)

    178 Shpërndaje
    Shpërndaje 71 Tweet 45
  • Përmes Ferajt, LVV e godet Osmanin që mori pjesë në marshin për ish-krerët e UÇK-së: U bashkuan kundër veprës së vet

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • Tërmeti dridh Bosnjën

    80 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20
  • Akuzohej se i dha borxh me fajde Afrim Muçiqit në shumën 70 mijë euro, dënohet me 1 mijë e 700 euro gjobë pas rikualifikimit të veprës penale

    228 Shpërndaje
    Shpërndaje 91 Tweet 57

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë