Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurtin për (mos)menaxhimin e situatës energjetike në vend, duke i përshkruar si “propagandues” dhe të paaftë për të adresuar krizën e reduktimeve të energjisë elektrike.
Sipas Hotit, ndërprerjet e gjata të energjisë po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e familjeve dhe në vështirësimin e aktiviteteve biznesore.
Ai u shpreh i revoltuar ndaj një deklarate të kryeshefit të KOSST-it, i cili i justifikoi reduktimet si pasojë e “zhvillimit ekonomik”
“Ndërprerjet e gjata të energjisë po cenojnë mirëqenien e familjeve dhe po e rëndojnë aktivitetin biznesor. Në vend se të kërkojë përgjegjësi nga KEDS-i, Qeveria del me fraza tallëse se reduktimet janë rezultat i zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Hoti.
Ai akuzoi qeverinë se në vend që të kërkojë llogaridhënie nga KEDS-i, përdor deklarata tallëse që nuk i adresojnë problemet reale të qytetarëve dhe bizneseve.
Deputeti i LDK-së shtoi se qeveria ka humbur katër vite pa bërë asnjë hap për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike apo përgatitjen e një plani për furnizim të qëndrueshëm.
“U humbën katër vite. Këta propagandues, jo që nuk nisën ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, por as plan nuk përgatitën për të siguruar furnizim të qëndrueshëm.
Qindra miliona euro vazhdojnë të shpenzohen për import të energjisë, që po shkon në kurriz të buxhetit të familjeve përmes faturave të larta”, ka shtuar Hoti.