Dimal Basha ishte i 26-ti në listën e më të votuarve të Vetëvendosjes në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit 2025. Tani është disa vende më poshtë.Çka ndodhi?
**
Në gusht të vitit 2025, Dimal Basha ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota.
Propozimi i Bashës për postin e kryeparlamentarit, kishte ardhur për një serie dështimesh të znj.Albulena Haxhiu për t’u zgjedhur në këtë post.
Megjithëse ushtroi këtë post për afro pesë muaj, z.Basha ka shënuar një performancë më të dobët në rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, duke u renditur në dhjetë vende më poshtë, krahasuar me rezultatin që mori në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit 2025.
Sipas rezultateve të deritashme të publikuara në KQZ, z.Basha renditet pas figurave si Agim Bahtiri, Adriana Matoshi, Edona Llalloshi etj., me mbi 21,760 vota gjithsej.

(Votat e Dimal Bashës në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025)
Ndërkohë, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Basha kishte një performancë më të mirë në vota, duke u renditur i 26-ti në listën e më të votuarve të VV-së, ose me një numër votash prej 25,459 vota.

(Votat e Bashës më 9 shkurt 2025)
Megjithëse numërimi i votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ende nuk ka përfunduar dhe rezultati ende nuk është përditësuar në KQZ, në më shumë se 91% të votave të numëruara, rezultati i kryeparlamentarit Basha nuk duket se do të pësojë ndonjë ndryshim të madh.
Kush janë emra të tjerë – që befasuan për të keq në performancë – në listën e VV-së?
Zef Morina, partneri i koalicionit të Vetëvendosjes nga Partia Shqiptare Demokristiane mori pak vota.
Po ashtu, edhe ish-opinionisti Viktor Buzhala,nuk arriti të sigurojë mandatin e deputetit në këto zgjedhje.
Lulzim Hetemi është një emër tjetër befasues që s’ia doli të sigurojë ulëse në Kuvend, pavarëisht që është ‘simboli i rezistencës’ në Leposaviq, duke qenë se qëndroi me muaj të tërë i ngujuar në objektin e komunës.
Edhe Gani Krasniqi, një nga figurat më të shquara të kësaj partie, mori pak vota, krahasuar me figura që erdhën më vonë në Lëvizjen Vetëvendosje.













