Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka folur mbrëmë rreth lirisë së medias.
Rexha tha se liri të shprehjes ka në vendin tonë, por sipas tij, një gjë e tillë vjen me kosto.
“Natyrisht që ka liri, por vjen me kosto. Vjen me kosto për shumë njerëz, për individët që janë subjekt i fushatave absolutisht të tmerrshme linçimi, të cilat kanë ndikim në punën që bëjnë. Ka kërcënime”, u shpreh Rexha.
Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit, Policia bastis shtëpinë e Top Kolshit – gjen një pushkë gjysmëautomatike
Rexha tha se më 1 dhe 2 muaj të këtij viti, kur kishte diskutuar rreth raportit të “Reporterëve pa kufij”, u kërcënua më shumë se gjatë 20 vjetëve punë.
Ai ka deklaruar se sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve në vend nuk janë të rastësishme, por të organizuara dhe me vetëdije.
“Nuk pati dialog, pati ashpërsim të gjuhës dhe sulme të vazhdueshme, që unë i vlerësoj si të organizuara. Janë të bëra me vetëdije, me qëllimin e vetëm për të degraduar punën e gazetarëve dhe mediave, sidomos kur ato raportojnë me të gjitha faktet për një skandal të qeverisë apo keqmenaxhim të parasë publike”, tha Rexha në Klan Kosova.
Ai shtoi se qëllimi i këtyre sulmeve është që publikut t’i dërgohet mesazhi se nuk duhet t’u besojnë mediave edhe atëherë kur faktet janë të qarta.