Gjykata Speciale tashmë ka vendosur. Pas lirimit me kusht, Isni Kilaj ka mbërritur në shtëpinë e tij në Malishevë, ku është pritur nga familjarët me shumë emocione. Vetëm pak minuta pas arritjes, për emisionin “Kosova Live” në T7 ka folur djali i tij, Bekim Kilaj.
Bekimi ka ndarë edhe disa fotografi nga çasti i ribashkimit, ndërsa tha se familja ka përjetuar lehtësim dhe gëzim të jashtëzakonshëm.
“E kemi pritur me shumë emocion. Ky epilog ka qenë i ditur që nga ditët e para të arrestimit, sepse lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër si loti, e mbështetur në vlerat më të larta të lirisë. Por do të ishim edhe më të lumtur po të liroheshin edhe shokët e tij,” – u shpreh Bekimi.
Ai tha se familja po merr shumë telefonata, ndërsa miqtë dhe shokët po vijnë për vizitë, por po respektohen të gjitha masat e vendosura për këtë lirim me kusht.
“Ne si familje e pritem shumë mirë, por shpresojmë që ky proces të mos zgjasë edhe shumë, sepse edhe me këtë lirim ka kushte të vendosura,” – shtoi ai.











