Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar opinionin për tërheqje nga tregu të qumështit për fëmijë Aptamil, bazuar në njoftimin e pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili është informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë, lidhur me praninë e substancës Cereulide në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Gjermania, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Ky qumësht është importuar në Kosovë nga kompania Rossman.
Raste të tilla Rossman ka pasur edhe më herët ku Veriu.info ka raportuar.
Komunikata e plotë e AUV:
Komunikatë për Media
Prishtinë, 30.01.2026
AUV njofton opinionin për tërheqjen nga tregu të APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gr. ADVANC dhe APTAMIL PRE PROFUTURA DUO ADVA 800 gr
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin publik se, bazuar në njoftimin e pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili është informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me nr. referencë 2026.0663, lidhur me praninë e substancës Cereulide në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Gjermania.
Sipas njoftimit nga Autoritetet Shqiptare, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gr. ADVANC, lot: 172911, me datë skadimi 10.11.2026, në Republikën e Kosovës për kompaninë Rossmann Kosova.
Gjithashtu, pas inspektimit të depos së kompanisë Rossmann Kosova, inspektorët janë njoftuar se kompania është duke bërë tërheqjen edhe të APTAMIL PRE PROFUTURA DUO ADVA 800 gr., me nr. artikulli 405663100.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë, është duke bërë grumbullimi dhe bllokimin i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.















