Një përleshje fizike është shënuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Soçanicë të Leposaviqit, ku një qytetar ka përfunduar me lëndime trupore pas një incidenti brenda një lokali nate.
Sinjali mëson se rreth orës 23:00, një person është paraqitur në nënstacionin policor në Soçanicë, ku ka raportuar se është sulmuar nga pronari i lokalit “Club B” dhe djali i tij. Ai ka deklaruar se, ndërsa ndodhej brenda lokalit, është goditur në fytyrë nga dy të dyshuarit, të cilët më pas e kanë detyruar të dalë jashtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima është trajtuar më pas në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Leposaviq.
Burimet brenda hetuesisë i thanë Sinjalit se bëhet fjalë për Vladan Jevtiq, 43-vjeçar ndërsa personat e dyshuar për sulmin janë Bogoljub Milovanoviq, 66-vjeçar dhe djali i tij.
Sot në orën 09:00, në stacionin policor janë paraqitur edhe dëshmitari dhe dy të dyshuarit. Pas intervistimit dhe në koordinim me prokurorin kujdestar, rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa palët janë liruar në procedurë të rregullt, thonë burimet e Sinjalit.