Bashkëluftëtari i Luan Haradinajt, Hajdar Ahmeti, në një intervistë në FRONTAL të T7 ka rrëfyer për herën e fundit kur e kishte parë gjallë Luanin dhe për fjalët që kishte shkëmbyer me të.
Ahmeti ka treguar se kur ishin ndarë, derisa Luani kishte shkuar për në Shqipëri, kishin diskutuar për dasmat që do të bëheshin në pranverën e vitit 1998, e vetë Hajdarit dhe Lahi Brahimajt, e ku Luani kishte premtuar që do të merrte pjesë.
“Si tash më kujtohet kur jemi përshëndet aty. Fjalët e fundit që i kishim me të, ishin se unë e Lahia ishim të fejuar, dhe kishim vendosur të martohemi në pranverën e vitit pasues. Ishim marrë vesh që të vijë Luani dhe të marrë pjesë në dasmat e të dyve. Këto kanë qenë fjalët e fundit, që gjithsesi do të vijë në dasmë do të marrë pjesë”, ka rrëfyer me emocion Hajdari.
Ai ka treguar se meqë dasma kishin qëlluar që të ishin në ditën e njëjtë, kishte kërkuar nga familja e tij që të bisedonin me familjarët e nuses së tij për ta shtyrë dasmën për një javë, që t’ia mundësonin Luan Haradinajt të merrte pjesë në të dyjat.
“Familja ime dhe e Lahisë kishin shkue te miqtë me i caktue vadat dhe ka rastis që për të njëjtën të diele me u martu të dytë. Me qëllim që Luani të marrë pjesë në të dy dasmat, unë kam detyru familjen time që të shkojnë te miqtë që ta shtyjnë për një javë dasmën”, ka thënë ai.
Megjithatë, Luan Haradinaj kishte rënë heroikisht duke hyrë në Kosovë, më 6 maj 1997.
“Gjatë tentimit për të hyrë në Kosovë, 6 maj 1997 ra heroikisht”, ka deklaruar Hajdari.