Inspektorati Policor i Kosovës sot bëri të ditur se e ka arrestuar një zyrtar policor me gradën e rreshterit policor, nën dyshimin se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Paparaci mëson se bëhet fjalë për rreshterin Ajet Dakaj. Ai punon në drejtorinë kundër terrorizimit dhe dyshohet se është i implikuar në një grup kriminal.
Mbi këtë grup janë ngritur dyshimet nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për vepra të ndryshme penale, duke filluar nga rrahja, tentim-vrasje dhe detyrim.
Hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacionet e para rreth dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar për rreshterin Dakaj, transmeton Paparaci.
“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale”.