Operatori ekonomik, oferta e të cilit është shpallur „administrativisht e papërgjegjshme“, edhe pse ishte gati 2 herë më e lirë se operatori i përzgjedhur “AL DUSHI”, ka parashtruar ankesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke e shfrytëzuar të drejtën për ankesë konform afatit ligjor.
Në këtë ankesë, përveç tjerash, Operatori Ekonomik ka paraqitur fakte të cilat dëshmojnë se oferta e këtij operatori për tenderin e bartjes së dërgesave ndërkombëtare (materialit të votimit) me status diplomatik, ishte bërë konform kërkesave të parashtruara në tender.
Njëkohësisht, pas ushtrimit të drejtës për qasje në dokumente zyrtare, respektivisht në dosjen e Ofertës së Operatorit Ekonomik “AL DUSHI”, është konkluduar se kjo kompani („AL DUSHI“), kishte ofertuar me çmim gati 2 herë më të lartë se Operatori i parë.
Oferta e këtij operatori (AL -Dushi), nuk i plotëson as kushtet bazike teknike për bartjen e Dërgesave zyrtare me status Diplomatik, ashtu siç edhe ishte kërkuar me Tender nga Komisioni qendror i zgjedhjeve.
Me këtë rast, ankesa e Operatorit Ekonomik e drejtuar në organet e Prokurimit te Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, jo vetëm që argumenton me fakte që oferta e tyre teknike është 2 herë më e lirë dhe i përmbush të gjitha kriteret e kërkuara, por njëkohësisht edhe dëshmon me fakte që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë shkelje të rëndë të ligjit duke e propozuar si kompani fituese të tenderit, Operatorin Ekonomik „AL. DUSHI i cili, përveç qç ka ofertuar me çmim gati 2 herë më të lartë, nuk i përmbush as kriteret bazike për bartjen e dokumenteve me status diplomatik (materialin e votimeve).