Më 16 korrik u rrëzua Mocioni i mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën e Hagës.
Për këtë, sot në “Kosova Today” ka folur kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, i cili përcolli nga afër këtë proces dhe aktualisht gjendet në Hagë, transmeton Klankosova.tv.
“Ne kemi thënë me kohë se kësaj gjykate nuk duhet t’i besohet, kjo gjykatë është e njëanshme, është një gjykatë politike dhe na ka befasuar të gjithëve me vendimin brutal e që e mori shumë shpejt, me një pauzë shtatë-tetë minutëshe, ku pastaj hynë në sallë dhe e hodhën poshtë Mocionin e Mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve. Ne nuk jemi ndjerë mirë. Po them sinqerisht se ne jemi pa zot shtëpie, jemi si jetim në njëfarë forme, se institucionet tona nuk janë duke u interesuar sa duhet për ata shokë që i kemi në burg, për ata bashkëluftëtarë apo qytetarë, apo burra të shtetit”, thoi Gucati.
Ai shpreh bindjen e tij se të gjithë ata që janë në proces gjyqësor në Hagë, do të dalin fitimtarë.
Gucati tutje shton se nuk ka gjasa që bashkëluftëtarët e tij të dënohen për krime lufte.
“Ata ndihen shumë mirë, ata nuk mërzitën fare, ata thonë se mund të na dënojnë se e kanë fuqinë. Por padrejtësia mundet me ndodh, nëse do gjykata mundet me i dënu politikisht, por për krime lufte asnjëherë. Ata madje shprehen të bindur se do të dalin fitimtarë”, tha tutje kryetari i OVL UÇK-së.
Ndryshe, në maj të vitit 2022, Gucati së bashku me zëvendësin e tij në OVL-UÇK u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë, derisa më 17 tetor 2023 Dhomat e Specializuara në Hagë modifikuan dënimin ndaj tij, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.