Ditën e sotme në sheshin e Prishtinës, ka ndodhur një rast i përplasjes fizike mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemajt dhe një qytetari që ka ardhur në Kosovë nga Gjermania.
Ky i fundit është Nuha Osmani. Mërgimtari jo shumë pas rastit, ka dhënë një intervistë për RTK-në. Në prononcimin e tij, Osmani deklaron se Zemaj e ka ‘’fyer’’ atë dhe se deputeti ka pasur sjellje të ‘’dhunshme’’.
RTK ka konstatuar në hyrje të kronikës se Zemaj ka sulmuar Osmanin, pa dhënë kontekst të ngjarjes.
Por, pamjet tregojnë se Osmani derisa ka kaluar afër Zemajt e ka quajtur rrenc dhe i ka thënë fjalë tjera që nuk dëgjohen mirë.
Por si ka ardhur deri te prononcimi i Osmanit për RTK’në. Burime të Gazetës Express, bëjnë me dije se mërgimtari Osmani ka lidhje të afërta familjare me një gazetare të mediumit publik ( emër i njohur për redaksinë). Pikërisht kjo është arsyeja që Osmani është ftuar për të dhënë prononcim aty, ndërsa kronika për rastin është përgatitur derisa ajo ka qenë në orar pune për lajmet qendrore.














