Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka udhëzuar diplomatët e ShBA-së në Evropë që të nisin një fushatë lobuese për të ndërtuar kundërshtim ndaj Aktit të Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian, për të cilin Uashingtoni thotë se e pengon lirinë e të shprehurit dhe u vë kosto kompanive amerikane të teknologjisë, sipas një kablloje të brendshme diplomatike të cilën e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një dokument të Departamentit të Shtetit, i cili e mban datën 4 gusht dhe i cili është nënshkruar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ky dikaster tha se Bashkimi Evropian po ndjek kufizime “të papërshtatshme” ndaj lirisë së shprehjes përmes përpjekjeve të tij për t’i luftuar gjuhën e urrejtjes, dezinformatat dhe se Akti i Shërbimeve Digjitale po i përforcon më tej këto kufizime, raporton agjencia “Reuters”.
Akti i Shërbimeve Digjitale është ligj i rëndësishëm i Bashkimit Evropian me të cilin synohet që mjedisi në internet të bëhet më i sigurt dhe më i drejtë duke i detyruar gjigantët e teknologjisë që të bëjnë më shumë për ta luftuar përmbajtjen e paligjshme, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe materialet e abuzimit seksual të fëmijëve.
Trumpi e ka bërë luftimin e censurës – sidomos të asaj që ai e sheh si mbytje e zërave konservatorë në internet – temë kyçe të administratës së tij. Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance, janë përqendruar te zyrtarë dhe rregullore evropiane, duke i akuzuar për “censurim” të amerikanëve, akuzë që është hedhur poshtë nga Bashkimi Evropian.
Në dokumentin e titulluar “kërkesë për veprim”, diplomatët amerikanë në ambasadat e ShBA-së në Evropë ngarkohen me detyrën që të angazhohen rregullisht me qeveri të vendeve të BE-së dhe autoritete të shërbimeve digjitale për t’i përçuar shqetësimet e Uashingtonit për Aktin e Shërbimeve Digjitale dhe për kostot financiare për kompanitë amerikane të teknologjisë.
Më tej, në dokument jepen sugjerime specifike për diplomatët amerikanë se si ligji i Bashkimit Evropian mund të ndryshohet si dhe jepen pika diskutimi për t’i ndihmuar ata që ta mbrojnë kauzën e vet.
Departamenti i Shtetit nuk dha ndonjë koment për këtë artikull. Zyra e shefes për teknologji në BE, Henna Virkkunen, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.