Berat Rukiqi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Qeveria e Kosovës po manipulon me shifrat e punësimit.
Rukiqi ka shpejguar deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për hapjen e 75 mijë vendeve të punës.
“Si po manipulon Qeveria me shifrat e punësimit? Krahasimi i gabuar me vitin 2020: Gjatë pandemisë u humbën rreth 25,000 vende pune për shkak të mbylljes së ekonomisë. Me hapjen e saj në 2021, këto vende pune u rikthyen. Por, Qeveria po i llogarit si vende të reja pune.” – ka thënë Rukiqi për Front Online.
Ai tutje ka shtuar se vendet e formalizuara vetëm në vitin 2023 po raportohen si vende të reja pune.
“Formalizimi i vendeve të punës: Vendet e formalizuara (rreth 4000- 5000 vende pune të formalizuara, vetëm në vitin 2023, sipas Bankës Botërore) gjithashtu po raportohen si vende të reja pune. Cila është e vërteta? Para pandemisë (2015-2019): U krijuan 66,240 vende pune – mesatarisht 16,560 në vit. Pas pandemisë, me këtë Qeveri ( 2021-2023): Vetëm 42,195 vende pune – mesatarisht 14,065 në vit.” – ka thënë Rukiqi.