Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Indisë, Kinës dhe Brazilit, duke i ftuar këto shtete që të rishqyrtojnë lidhjet tregtare me Rusinë, përndryshe mund të përballen me sanksione dytësore të ashpra.
Sipas mediave ndërkombëtare, deklaratat e Rutte vijnë një ditë pas kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi për tarifa të reja dytësore prej 100 për qind për të gjitha vendet që vazhdojnë të blejnë produkte nga eksportet ruse, nëse Moska nuk e ndalon luftën në Ukrainë brenda 50 ditëve.
Duke folur gjatë një takimi me senatorë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Rutte u shpreh qartë:
“Inkurajimi im për këto tre vende është… ju mund të dëshironi ta shqyrtoni këtë sepse kjo mund t’ju godasë shumë rëndë.”
Ai shtoi se është koha që këto vende të përdorin ndikimin e tyre diplomatik për të ndihmuar në arritjen e paqes:
“Ju lutem, telefononi Vladimir Putinin dhe i thoni se duhet ta marrë seriozisht çështjen e bisedimeve për paqe.”, tha ai.