Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, ka nisur një aksion të gjerë monitorimi për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit për rregullimin e çmimeve të derivateve.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se është duke realizuar mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës, në kuadër të zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave mbrojtëse.
Ky vendim është nënshkruar më 4 mars 2026 nga ministrja Mimoza Kusari Lila dhe synon mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës në treg, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve në tregun e derivateve.
Sipas njoftimit, Inspektorati së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës po analizojnë të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet që u ofrohen konsumatorëve në tregun vendor.
Bazuar në të dhënat zyrtare nga Dogana e Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet gjatë ditës së hënë (9 mars 2026) ka qenë:
Naftë (Dizel): 1.44 euro për litër
Benzinë: 1.17 euro për litër
Ndërkaq, nga monitorimi i tregut vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë:
Naftë (Dizel): nga 1.44 deri në 1.55 euro për litër
Benzinë: nga 1.26 deri në 1.31 euro për litër
Sipas vendimit të ministrisë për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, është përcaktuar edhe marzha maksimale tregtare e lejuar, e cila është:
2 eurocentë për litër për shitjen me shumicë
12 eurocentë për litër për shitjen me pakicë
Marzha tregtare nënkupton diferencën mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.
Inspektorati Qendror ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe inspektimet në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Në rastet kur identifikohen parregullsi, mosrespektim i marzhës apo praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze sipas legjislacionit në fuqi./Demokracia.com














