Analisti, Arbnor Sadiku, ka shprehur shqetësimin e tij mbi gjendjen e krizës politike në vend, duke theksuar se nuk sheh rrugëdalje deri pas zgjedhjeve lokale.
Ai për GazetaBlic sugjeron se një mundësi për zgjidhje mund të ishte dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, duke kërkuar sqarim në lidhje me mundësinë që koalicioni jo fitues i zgjedhjeve parlamentare të mund të marrë postin e kryetarit të Kuvendit.
“Do të ishte e arsyeshme që dikush nga opozita të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, lidhur me atë se a mund t’i takojë koalicionit jo fitues të zgjedhjeve parlamentare posti i kryetarit të Kuvendit,” tha Sadiku, duke shtuar se interpretimi i kësaj situate mund të hapte mundësinë për zgjedhje të reja parlamentare.
Ai gjithashtu theksoi se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, kriza do të vazhdojë deri pas zgjedhjeve lokale.
“Opozitës nuk i konvenon aktualisht asnjë koalicion me LVV-në,” përfundoi analisti, duke lënë të kuptohet se situata politike do të mbetet e tensionuar derisa të ketë një zhvillim të ri pas zgjedhjeve të afërta.