Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk kanë përjashtuar mundësinë e grevës nëse nuk ka dialog me Ministrinë e Arsimit.
Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, i ka thënë “KosovaPress”-it se në rastin e shpërfilljes së kërkesave të tyre deri më 20 shtator, mund të ndërmarrin veprime sindikale.
“Kur flasim për çështjen e mësimdhënësve dhe çështjen e kërkesave të SBASHK-ut, ne më herët e kemi mbajtur një kongres të jashtëzakonshëm, kongresin e nëntë. Në kongres është marrë një vendim si organi më i lartë i SBASHK-ut që nëse deri më 20 shtator nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, atëherë do të mblidhet këshilli drejtues si organ më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve dhe do ta analizojë gjendjen dhe pastaj mund të shkohet edhe me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën”, thotë Shala.
“Kërkesat e SBASHK-ut janë… negocimi dhe nënshkrimi i kontratës së re kolektive. Po ashtu, është kërkesë edhe ngritja e vlerës së koeficientit. Tashmë veçse janë bërë dy vite që nuk është ngritur vlera e koeficientit në ligjin e pagave edhe përkundër rritjes së inflacionit. Kemi një rritje të rangimit të koeficientit që është një ngritje prej 55 eurove, që është shumë simbolike karshi ngritjes enorme të çmimeve të produkteve elementare për jetesë. Është edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku nga korriku i vitit 2024 është dashur të zbatohet një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës për 15 vitet e para, që është duke u paguar me 0.25 për qind e vendimi i gjykatës është që të paguhet 0.5 për qind”, potencon Shala.