Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunal të Prishtinës, ku ishte paraparë të diskutohet propozim-vendimi për lënien në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033, ka dështuar për të dytën herë.
Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Kosovës nuk ishin të pranishëm në seancën që ishte thirrur të martën.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se opozita është duke e bllokuar mundësinë që ky plan të dalë për diskutim publik.
Ai shtoi se do të vazhdojnë të tentojnë të mundësojnë diskutimin e planit në seancat e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e tij për zhvillimin e kryeqytetit.
“E patë edhe sot që ne kemi ftuar seancën e jashtëzakonshme për me e qit në diskutim publik planin zhvillimore komunal, por ja që edhe sot nuk i patëm numrat e duhur të asamblistëve, që ta mundësojnë që ky plan me rëndësi shumë të madhe për kryeqytetin që ky plan të dal për diskutim publik. Ne do të vazhdojmë të tentojmë që ta fusim këtë edhe herën e radhës”, tha Rama.