Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, është takuar me përfaqësues të Listës Sprksa përpara seancës në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku do të prezantohet raporti gjashtëmujor i UNMIK-ut për situatën në Kosovë.
Në një komunikatë për media, Lista Srpska tha se në këtë takim i kanë folur shefes së UNMIK-ut për “dhunën e vazhdueshme” ndaj serbëve të Kosovës dhe se i kanë kërkuar asaj që në këtë raport ta paraqesë “gjendjen reale” të popullit serb në Kosovë.
Në këto pretendime, Listës Srpska këtë herë përfshiu edhe boshnjakët.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan vazhdimin e dukshëm të dhunës institucionale ndaj serbëve, madje edhe ndaj të miturve dhe fëmijëve të përkatësisë etnike serbe dhe boshnjake, të cilët së fundmi janë rrahur dhe privuar padrejtësisht nga liria nga policia e Kosovës”.
Po ashtu, Lista Srpska iu ankua edhe Ziadehut për “mandatin e vjedhur” nga Nenad Rashiq.
“Gjithashtu u theksua se një mandat në Kuvendin e Prishtinës iu hoq popullit serb dhe ia dha regjimit të Prishtinës ,Nenad Rashiqit, gjegjësisht Vetëvendosjes së Kurtit. U theksua se institucionet e Kosovës po ushtrojnë presion mbi serbët, se bizneset po bastisen pa arsye, se serbët po arrestohen për krime lufte pa prova dhe se sulmuesit e serbëve në përgjithësi mbeten të pandëshkuar”, pretendon kjo parti.
Ndërsa, në fund Lista Srpska “tha se e mbështet punën e UNMIK-ut në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërkon që raporti të paraqesë gjendjen reale në terren dhe vuajtjet e popullit serb”.