Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tashmë ka mbërritur në Arabinë Saudite, ku do të marrë pjesë në bisedimet me Rusinë, që pritet të nisin të martën, raporton The Guardian.
Atij pritet t’i bashkohet Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Michael Waltz dhe i dërguari i presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Ruboi po e zhvillon vizitën e tij të parë në Lindjen e Mesme që nga marrja e detyrës muajin e kaluar; ai fluturoi në Riad nga Izraeli, ku u takua me kryeministrin e vendit Benjamin Netanyahu.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio në Aeroportin Ndërkombëtar të Mbretit Khalid, në Riad të Arabisë Saudite. Fotografia: Evelyn Hockstein/Reuters
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thirrur ndërkohë një takim urgjent me liderë europianë, pas rritjes së shqetësimeve, siç shkroi Guardian, lidhur me përpjekjet e Trump për ta marrë kontrollin e procesit të paqes në Ukrainë.
Gazeta britanike raportoi se Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe liderët e Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë ishin mes të ftuarve në këtë takim me Macronin.
Takimi, i cili ka të ngjarë të mbahet sot, sipas Guardian pritet t’i shqyrtojë përpjekjet e SHBA për t’i përjashtuar liderët europianë nga bisedimet e paqes, pozicionin që Europa duhet ta miratojë për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në NATO dhe se si Ukrainës mund t’i ofrohen garancitë e sigurisë, qoftë përmes NATO-s ose ndonjë force europiane.
Shpejtësia e përpjekjes së Macron për t’i bashkuar liderët europianë pas një përgjigjeje të përbashkët tregon shkallën e ankthit në Europë për përpjekjet e SHBA-së për ta kontrolluar procesin dhe për t’i përjashtuar qeveritë europiane nga çdo negociatë e detajuar midis SHBA-së dhe Rusisë.