Edhe tri ditë i kanë mbetur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për të gjetur shumicën në Kuvend për votimin e qeverisë së re. Albin Kurti dy ditë më parë në Londër u shfaq shumë pesimist se do të mund të arrinte këtë duke u përpjekur të fajësonte klimën e intoksikuar në vend. Por, një tjetër version e dha në Prishtinë bashkëpartiaku i tij, Vigan Qorolli. Ai tha se “gjasat janë reale” që Kosova të ketë qeveri më në fund.
I mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, në një takim me mërgatën shqiptare në Londër, në një deklaratë kundërthënëse, tha se s’është kollaj të gjenden numrat e nevojshëm për të bërë qeverinë e re.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti të martën.
Por, më të kollajshme krijimin e qeverisë e prezantoi Vigan Qorolli, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë, i cili në televizionin Dukagjini mbrëmë tha se po zhvillojnë “bisedime intensive” në pak ditët e mbetura.
Derisa edhe vetë Kurti tha se zgjedhjet e reja duken alternativë e mundshme, Qorolli u shfaq i shqetësuar për paratë që do të shpenzohen për procesin zgjedhor.
“Ne besojmë që gjasat janë reale për t’u bërë qeveria të dielën. Ndërkohë që në mungesë të qeverisë, plan B janë zgjedhjet e jashtëzakonshme… Kurti ka qenë i gatshëm për kompromis dhe sonte është i gatshëm gjithashtu për ta bërë një qeveri stabile, sepse 20 milionë euro në dy palë zgjedhjet do t’i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të Kosovës dhe qytetarëve”, tha ai.
Duke mos e autorizuar veten që të japë më shumë informata se si po zhvillohen këto “bisedime intensive”, Qorolli përsëriti dëshirën e partisë së tij për të lidhur koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës pavarësisht refuzimit kategorik të saj për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë nuk mund të ndaj informacion, por bisedimet janë intensive. Janë bërë kërkesa konkrete për LDK-në, oferta konkrete, refuzimi kategorik i LDK-së e ka sjellë LDK-në në këtë gjendje, siç është, për t’u bërë pikë e pesë”.
LDK ka kundërshtuar mundësinë e një bashkëpunimi me Vetëvendosjen që natën kur dolën rezultatet preliminare të 9 shkurtit, duke ngulur këmbë për të qëndruar në opozitë.
Por, hiç më pak refuzuese s’është as partia e dytë, PDK.
Dy deputetë të kësaj partie folën së fundi dhe përjashtuan çdo mundësi bashkëpunimi me partinë e Kurtit.
Deputetja e re e PDK-së, Arbnore Salihu, tha se qëndrimi i partisë së saj ka qenë” i qartë prej fillimit” dhe vazhdon të mbetet i njëjtë.
“PDK-ja nga fillimi ka qenë shumë e qartë në qëndrimin e saj. Edhe kandidati ynë për kryeministër, Bedri Hamza, menjëherë pas shpalljes së rezultateve e ka bërë qëndrimin tonë të qartë se nuk ka asnjë bashkëpunim dhe marrëveshje midis PDK-së dhe LVV-së”, tha ajo, duke udhëzuar Kurtin që ta mësojë demokracinë parlamentare.
“Nëse Albin Kurti nuk mund ta gjejë shumicën në Kuvend prej 61 votash, atëherë ai nuk mund të fajësojë partitë e tjera për bllokim, sepse faji është tek Albin Kurti. Ai duhet ta mësojë njëherë e mirë se cila është dhe çka është demokracia parlamentare”.
Ndërkaq, më i ashpër ishte ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në raport me votuesit potencialë nga PDK për një qeveri të re Kurti.
Ai tha se në rast se ndonjëri prej bashkëpartiakëve të tij në Kuvend e bën këtë duhet të përjashtohet.
“Unë s’e besoj që do të ketë deputetë që do të kalonin në votim të qeverisë. Nëse dikush e ka shitur vetveten, ai duhet të përjashtohet menjëherë nga partia. Ne kemi pasur raste të tilla në të kaluarën, por nuk kemi reaguar. Nuk i kemi ngacmuar. E kemi konsideruar si vullnet të individit, por tani mendoj që partia duhet të jetë më e rreptë ndaj elementëve të cilët në një mënyrë ose tjetrën e tradhtojnë. Nuk do të duhej të ketë deputetë të zgjedhur të PDK-së, të cilët me asnjë kusht do të votonin këdo qoftë pa miratimin e këshillit drejtues të PDK-së”, tha Haliti për Tëvë1.
Ai tha se partia e tij duhet të mbetet në opozitë dhe se “është gabim i madh i PDK-së të hyjë në koalicion”.
Haliti u shpreh mosbesues se do të ketë qeveri të dielën./GazetaExpress