Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHKU-ut, ka ngritur shqetësimin se edhe këtë vit shkollor nxënësit mund të mos jenë të pajisur me tekste mësimore që nga dita e parë e shkollës.
Shala në një prononcim për GazertaBlic, thotë se ndryshe nga vitet e kaluara, kur tekstet shpërndaheshin në shkolla para fillimit të vitit shkollor, tani familjet po përballen me vonesa dhe vështirësi në pajisjen e fëmijëve me materialet e nevojshme.
“Urojmë që nxënësit të jenë të pajisur me tekste dhe mjete të tjera mësimore që nga 1 shtatori mirëpo nëse vazhdohet prap ajo mënyra sikurse dy vitet e kaluara me subvencionim, nxënësit që ditën e parë ndoshta mund të jetë një pjesë e nxënësve që vijnë nga familje më të pasura të pajisur me tekste, ndërsa pjesa dërrmuese e nxënësve natyrisht që nuk do të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme ngase vet mënyra e subvencionimit e jo sigurimi i librave në shkollat e tyre sikurse viteve më herët që ishin librat para 1 shtatorit në shkollë dhe mësimdhënësit ua shpërndanin nxënësve ato tekste shkollore , tani këtë vit vetë fakti deri sa prindërit dhe familjet të subvencionohen po kërkon kohë. Urojmë që të jenë të pajisur por gjasat janë shumë të vogla që pjesa më e madhe e nxënësve të jetë pasi që nxënësit të cilët vijnë nga familje me kushte më të rënda ekonomike, prindërit e tyre ndoshta edhe kur po subvencionohen me ato mjete, ti përdorin për nevoja të tjera elementare”, tha ajo.
Në anën tjetër, SBASHK-u ka përcaktuar 20 gushtin si afatin e fundit për fillimin e dialogut me Ministrinë e Arsimit. Në rast të mungesës së përgjigjes, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut do të mblidhet për të shqyrtuar veprime sindikale, përfshirë edhe grevën.
“I kemi shpalosur disa nga kërkesat dhe aty kemi marrë si vendim që nëse Ministria e Arsimit nuk e fillon dialogun deri më 20 gusht atëherë pas 20 gushtit do të mbledhet këshilli drejtues i SBASHK-ut si organi më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve dhe do analizojë gjendjen dhe mund të shkohet me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën. Si kërkesë e SBASHK-ut është që menjëherë të fillojë dialogu me Ministrinë e Arsimit me qëllim të bashkëbisedimit dhe realizimit të kërkesave të punëtorëve të arsimit, si kërkesë e tyre është edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nga korriku i vitit 2024 për pagesën e përvojës së punës ngase për 15 vitet e para është duke e paguar me 0.25 ndërsa Gjykata Kushtetuese ka sjellur si vendim të bëhet pagesa prej 0.5% dhe që nga viti 2024 të gjithë punëtorët e arsimit janë duke u dëmtuar në pagë për 4 % edhe përkundër të ngritjes enorme të cmimeve të produkteve elementare për jetesë”, shprehet ajo.
Shala po ashtu kritikoi Ministrinë për mosnisjen e negocimit të kontratës së re kolektive, ndonëse drafti është dorëzuar që më 2 tetor të vitit 2024.
“Drafti i kontratës kolektive nga SBASHK-u është dorëzuar me 2 tetor 2024 dhe që nga ajo periudhë edhe përkundër asaj që ne kemi përcaktuar me anëtarët për negocim dhe nënshkrim ne nuk kemi marr fare ftesë nga Ministria për fillimin e negocimit për Kontratën e re kolekive. Natyrisht që është dashur deri më tani edhe të bëhet nënshkrimi, ka kaluar kohë e gjatë. Pastaj kemi ngritjen e vlerës së koeficientit në ligjin e pagave, tani më janë bërë dy vite që vlera e koeficientit në ligjin e pagave nuk është ngritur edhe përkundër të ngritjes së inflacionit”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se kanë dërguar edhe një inciativë qytetare me nënshkrime në Kuvend, që ka të bëjë me ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti për mësimdhënësit të cilët kanë punuar në vitet 90/99.
“Po ashtu kemi dërguar një iniciaativë qytetare prej 20606 nënshkrime në Kuvendin e Kosovës dhe ende nuk është filluar procesimi për këtë iniciativë qytetare që ka të bëjë me plotësim- ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti ku mësimhdënësve të cilët kanë punuar në vitet 90/99 nuk po i u numërohen si vite kontributdhënëse , ndërsa ne e dimë që ato janë vite kontributdhënëse. Atyre thjesht po i’u numërohen si vite pas-pensionimit por jo si kontributdhënëse. Ngase Kontributet në ato kohë janë menaxhuar nga Serbia dhe natyrisht që punëtorët e arsimit edhe në atë kohë kanë kohë kanë punuar, e që njihen si vitet më të cmuara që e mbajtën gjallë arsimin në Kosovë”, përfundoi ajo.