Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Kinës që t’ia parandalojë Iranit mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, njëra nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
Komentet e kryediplomatit amerikan erdhën pasi televizioni shtetëror iranian, “Press TV”, raportoi se Kuvendi kishte miratuar një plan për ta mbyllur ngushticën, por shtoi se vendimi përfundimtar i përket Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, raporton televizioni BBC.
Çfarëdo pengimi i dërgesave me naftë do të kishte pasoja të thella për ekonominë. Kina në veçanti është blerësja më e madhe në botë e naftës iraniane dhe ka marrëdhënie të ngushta me Teheranin.
Çmimet e naftës u rritën pas sulmit amerikan ndaj qendrave bërthamore të Iranit. Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën “Brent” arriti në nivelin më të lartë në pesë muajt e fundit.
“Unë e inkurajoj qeverinë kineze në Pekin që t’u bëjë thirrje atyre (Iranit) për këtë, sepse ata varen shumë nga Ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre” – tha Rubio në një intervistë në televizionin “Fox News” të dielën.
“Nëse ata (e mbyllin ngushticën)… do të jetë vetëvrasje ekonomike për ta dhe ne vazhdojmë të kemi opsione për t’u ballafaquar me këtë, por shtetet e tjera duhet të jenë duke e shqyrtuar këtë, po ashtu. Kjo do t’i dëmtojë ekonomitë e shteteve të tjera shumë më keq se tonën” – paralajmëroi sekretari amerikan.
Rreth 20 për qind e naftës në botë kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit. Prodhues të rëndësishëm të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme e shfrytëzojnë këtë rrugë detare për të eksportuar karburante.
Çfarëdo përpjekjeje për t’i penguar operacionet në Ngushticën e Hormuzit do të mund të shkaktonte rritje të madhe të çmimeve të naftës.
Ato tashmë e shënuan rritjen më të madhe që nga janari. Çmimi në bursën “Brent” të dielën pak para mesnatës shkoi në 78,89 dollarë për një fuçi të naftës së papërpunuar.
“ShBA-ja tani është e pozicionuar me një qëndrim dërrmues të mbrojtjes në rajon për t’u përgatitur për ndonjë kundërsulm iranian, por rreziku për çmimet e naftës është që situata do të mund të përshkallëzohet rëndë më tej” – tha Saul Kavonic, drejtor i hulumtimeve për energjinë në institucionin financiar, “MST Financial”.
Kostoja e naftës së papërpunuar prek pothuajse gjithçka, nga çmimi i mbushjes së veturës me karburant deri te çmimet e ushqimit në dyqane.
Kina në veçanti blen më shumë naftë nga Irani se cilido shtet tjetër. Importet kineze nga Irani e kaluan nivelin prej 1,8 milion fuçi në ditë muajin e kaluar, sipas të dhënave të kompanisë për përcjelljen e transportit, “Vortexa”.
Edhe disa ekonomi të tjera të rëndësishme aziatike, përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut, varen shumë nga nafta e papërpunuar që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Analistja e energjisë, Vandana Hari, thotë se Irani ka “pak për të fituar e tepër shumë për të humbur” nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.
“Irani rrezikon që t’i shndërrojë në armiq fqinjët e tij që prodhojnë naftë dhe gaz në Gjirin Persik dhe që ta nxisë zemërimin e tregut kyç të tij, Kinës, përmes pengimit të trafikut në Ngushticën e Hormuzit” – i tha ajo televizionit BBC.
Shtetet e Bashkuara u bënë pjesë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit në fundjavë duke sulmuar tri qendra bërthamore të Iranit. Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë dëmi është shkaktuar nga këto sulme.
Të hënën, Kina tha se sulmet amerikane e kanë dëmtuar kredibilitetin e Uashingtonit dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.