Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka reaguar ndaj publikimit të një videoje lavdëruese nga VV për punën e saj gjatë katër viteve të fundit.
Ai ka shkruar se nuk është koha për të diskutuar për “sukseset” e kaluara, duke theksuar problemet aktuale që po përjeton vendi.
Muharremi ka përmendur rritjen e çmimeve, çmimin e energjisë dhe formimin e qeverisë si disa nga çështjet që kërkojnë vëmendje urgjente. Ai theksoi se qytetarët po ndjehen të braktisur, ndërsa kërkoi veprime konkrete nga qeveria për të adresuar krizën e çmimeve, furnizimin me energji dhe sigurinë.
Postimi i plotë i tij:
Mos na flisni shumë për “sukseset” e së kaluarës, se na këtu jetojmë. Nga ai “zhvillimi ekonomik” që na e keni përmend çdo ditë na u ndal edhe rryma në dhjetor. Çmimet shkuan n’qiell, përsëri… një maratonë prej vitit 2021 që asnjëherë nuk përfundoj. Pasiguri gjithandej. Boll me nostalgji, po përqendrohuni tek e tashmja.
Pse nuk po e formoni qeverinë tash e disa muaj? Pse nuk po kujdeseni për qytetarët, që prej kohësh ndihen si jetimë, të lënë pas dore, të lënë vetë?
Kur i lypshit 500 mijë vota, thoshit: “Aman, zaman, ju lutem, na jepni një shans!” I morët votat, edhe?… humbët.
Mos na lodhni me fjalë pa peshë. Nuk po ju kërkojmë fjalime po ju kërkojmë punë.
-Zgjidhni krizën e çmimeve.
-Ofro zgjidhje konkrete për energjinë.
-Ndalni këto vrasje që po bëhen përditë.
Ku jeni strukur që s’po ju shohim askund?